Ndryshime në qeveri nuk do të ketë, edhe pse Kryeministri iu kishte lënë në Dhjetor afat disa prej ministrave të tij të arrinin objektivat deri në muajin Qershor.

Ndryshimet do të ketë vetëm brenda Partisë Socialiste. Pas mbledhjes së Kryesisë, Kryeministri pranon se kjo forcë do të nisë një proces zgjedhjesh për strukturat drejtuese që do të vendoset në Asamblenë Kombëtare që do të mblidhet të hënën e 22 Korrikut.

Por Kryeministri thotë se këto do të jenë zgjedhjet e vetme e se ai nuk ka asnjë plan për ta çuar vendin në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Me këtë qëndrim, Kryeministri lë të kuptohet se nuk ka asgjë për t’i ofruar opozitës joparlamentare, që sipas tij, po vetëshkatërrohet, çka ai e kishte paralajmëruar dhe në fushatën zgjedhore.

Kur pyetet për mesazhin që i ka dërguar kreut të shtetit e që Ilir Meta e lexoi në konferencën për shtyp duke e komentuar si provë se Edi Rama ka patur një plan për shpërbërjen e opozitës, Kryeministri ironizon.

Rama thotë se ende nuk ka menduar për emrin e pasardhësit të Ilir Metës, pasi për momentin shumica është e fokusuar tek mbarëvajtja e procesit hetimor për shkeljen e Kushtetutës nga kreu i shtetit.

Tv Klan