Rama

Në vigjilje të nisjes së sesionit të ri parlamentar, kryeministri Rama mblodhi në një takim informal në qytetin e Durrësit ministrat dhe deputetët e Partisë Socialiste.

Raportet e grupit parlamentar me qeverinë dhe strategjia që do të ndiqet në këtë sesion, mësohet se kanë qenë në fokus të kësaj mbledhjeje.

Burime brenda grupit bëjnë me dije se kryeministri Rama ka folur edhe mbi performancen e qeverisë, duke përjashtuar çdo mundësi për ndryshime ne kabinetin që drejton.

Sipas tyre, kreu i ekzekutivit është shprehur se ministrat do të largohen vetëm në rast skandalesh.

Nga ana tjetër, kryeministri ka kërkuar koordinim të punës së deputetëve dhe ministrave, kryesisht përsa u përket hartimit të ligjeve.

Po kështu, deputetëve u është kërkuar që të unifikojnë qëndrimet dhe të mos dalin jashtë vendimeve politike të grupit parlamentar.

Në seancën e parafundit të sesionit të shkuar, largimi i disa deputetëve socialistë nga salla, jashtë vendimit të grupit, çoi në shtyrjen e votimit të disa ligjeve që kërkonin 84 vota.

Ndërsa burime nga qeveria bëjnë me dije se në këtë mbledhje u vendos edhe ngritja e disa grupeve pune, të cilat brenda muajit shtator do të përgatisin raportet dhe strategjinë e nevojshme, jo vetëm për punimet e sesionit të ardhshëm parlamentar, por edhe për përballimin e zgjedhjeve të ardhshme vendore.

Mësohet se janë ngritur 4 grupe:

1. Ai për rregulloren e marrëdhënieve deputet – qeveri;

2. Grupi i punës për cilësinë e legjislacionit;

3. Ai për skanimin e cilësisë së burimeve njerëzore në administratë;

4. Dhe grupi për organizimin elektoral të Partisë Socialiste.

Në mbledhje u vendos gjithashtu që pranë zyrës së Kryeministrit dhe të çdo Ministri të ketë një sekretar teë posaçëm për marrëdhëniet me deputetët.

Ndërkohë që çdo të hënë, pas mbledhjes se grupit, Kryeministri do të ketë të rezervuar tre orë për takime individuale me deputetët, për të diskutuar mbi problematikat e rëndësishme. Të njëjtën praktikë, që sipas të njëjtave burime, është e huazuar nga modeli laburist, do të ndjekin edhe të gjithë ministrat.

Tv Klan