Ndërtimin e rrugës së Lumit të Vlorës e quan një premtim që u mbajt vetëm nga qeveria e tij. Dhe për ta vërtetuar këtë, Kryeministri Edi Rama postoi një letër të vitit 1930, kohë kur një përfaqësi e komunitetit i drejtohej me një shkresë mbretit Ahmet Zogu, kërkesë që, siç thotë kreu i qeverisë, banorët ia bënë të tërëve me radhë, e që ndonëse iu premtua, nuk u mbajt nga askush.

“Kur në vitin 1930 një përfaqësi e komunitetit i kërkonte Ahmet Zogut ndërtimin e rrugës së Lumit të Vlorës, të cilën banorët ua kërkuan të tërëve me radhë dhe të tërë pa përjashtim ua premtuan, por premtimi u mbajt vetëm prej qeverisë sonë”, shkruajti Rama.

Edhe postimin e parë të kësaj të diele, Kryeministri ia kishte rezervuar pikërisht punimeve në këtë rrugë.

“Me këto pamje nga kantieri ku pas 100 vjetësh pritje e premtime, po merr formën e saj të plotë Rruga e Lumit të Vlorës, e cila do të zbulojë për shqiptarët e të huajt një thesar të fshehur të parajsës shqiptare, ju uroj të dielë të bukur”, shkruajti ai.

Pak ditë më parë, Rama inspektoi punimet në lotin e tretë të këtij projekti. Përfundimi i këtij aksi do të mundësojë lidhjen e malësisë së Tepelenës dhe të Vlorës me bregdetin jonian./tvklan.al