Postojnë video dhe deklarata në rrjetet sociale

Edi Rama dhe Lulzim Basha kanë vijuar në rrjetet sociale edhe këtë të diel të mbrojnë pozicionet e tyre lidhur me çështjen e Teatrit Kombëtar, njeri për ndërtimin e godinës së re dhe tjetri kundër shembjes së godinës aktuale.

Kryeministri ka zgjedhur të flasë me zërin e Mihallaq Luarasit, regjisorit të njohur që sipas kreut të qeverisë kur ishte gjallë ishte deklaruar pro ndërtimit të Teatrit të ri Kombëtar jo rikonstruktimit të tij.

Mihallaq Luarasi: Ky teatër që kemi sot është i pandreqshëm. Është turp që Teatri Kombëtar i Shqipërisë ka ngelur në atë ndërtesë të ndërtuar që në kohën e Italisë. Duhet më shumë vëmendje për Teatrin Kombëtar, nuk duhet një rikonstruksion i tij, por ndërtimi i teatrit të ri. Më 1966 në Teatrin Kombëtar, kur ishte gjallë dhe aktori i madh Naim Frashëri, rastësisht u takuam në oborr me Manush Myftiun, anëtar i byrosë politike atë kohë. Naimi i tha: “Nuk po mendon partia për një teatër të ri?”, ndërsa përgjigja e Manush Myftiut ishte: “Naim, nipat tanë të ndërtojnë një teatër të ri, ne nuk kemi mundësi, presim nga nipat tanë”. Pra ne jemi ata që sot duhet ta ndërtojmë një teatër të ri kombëtar.

Por Lulzim Basha projektin e qeverisë për Teatrin e quan “loja 200 milionë Euro”, që sipas tij nuk është gjë tjetër veç një aferë korruptive që bëhet në bashkëpunim me mafien e ndërtimit. Në një përshkrim grafik ai shpjegon planin që sipas tij kanë Rama-Veliaj për ngritjen e 6 kullave, të cilat thotë se janë arsyeja e vetme për prishjen e Teatrit Kombëtar. Basha sjell në vëmendje edhe një deklaratë të tij të një viti më parë ku denoncon këtë plan.

Lulzim Basha: Hajduti psiqik Rama nuk ka asnjë interes për teatër të ri pa kulla. Afera me Teatrin Kombëtar është për kullat e për të futur në xhep 200 mln Euro, dhe jo për Teatrin, sepse për të nuk ka Teatër pa kulla.

Ndërtimi i Teatrit te ri Kombëtar është një nga premtimet elektorale te kryebashkiakut Veliaj për këtë mandat të dytë.

Tv Klan