Një bashkim të ri përtej kufijve të politikës së vjetër, ka kërkuar kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama nga Velipoja e Shkodrës. Në vijim të turit “Dialog me Shqipërinë”, ai ka zhvilluar një takim me banorët e zonës të cilëve u ka bërë thirrje që ta shohin politikën si një mundësi për zgjidhjen e problemeve të tyre.

Edi Rama: “Politika të kthejë sytë nga njerëzit, të kthejë sytë nga familjet shqiptare, të kthejë sytë nga problemet e rënda të atdheut tonë, të ekonomisë tonë, të bujqësisë tonë, të arsimit dhe të dhe shëndetit tonë publik.”

Sipas Ramës zona e Velipojës vuan prej vitesh varfërinë dhe mungesën e investimeve, çfarë ka shuar shpresën për një të ardhme më të mirë.

Edi Rama: “Kjo politikë e tjetër e gatshme për tu kacafytur mes veti, vetëm e vetëm për interesa karrigesh, për interesa karrierash në kurriz të një populli të tërë, kërkon përgjigje.”

Kreu socialist ka kërkuar që elektorati ta ndëshkojë me votë keqqeverisjen e mazhorancës së djathtë./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi