Shqipëria ka përmirësuar ndjeshëm masat për të luftuar pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit

Në konkluzionet e raportit të fundit të Keshillit të Evropës thuhet se Shqipëria ka përmirësuar ndjeshëm masat për të luftuar pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit në përputhje me rekomandimet e dhëna. Raporti përfshin edhe zbatimin e kërkesave të reja ndërkombëtare për pasuritë virtuale, duke përfshirë, ndër të tjera, monedhat virtuale më të njohura si Bitcoin, Ethereum dhe ofruesit e këtyre aseteve.

MONEYVAL ka ekzaminuar një sërë masash legjislative dhe institucionale të zbatuara nga Shqipëria për të adresuar mangësitë. Disa hapa pozitivë janë ndërmarrë nga autoritetet shqiptare në lidhje me sanksionet e synuara financiare.

Shqipëria ka bërë progres për të adresuar mangësitë e pajtueshmërisë teknike të identifikuara. Si rezultat Shqipëria është rivlerësuar pozitivisht në lidhje me parandalimin e parave qe vijnë edhe nga trafiku i armëve duke vijuar procesin e shkatërrimit te tyre.

Autoritetet kanë shpjeguar regjimin që ekziston për të trajtuar pastrimin e parave të krimit për kontrollin ose administrimin e tyre si dhe sanksionet për auditorët dhe firmat e auditimit, por jo për kontabilistët.  Në rastin e avokatëve rezulton se masat e duhura janë në fuqi.

Sa i përket kornizës së sanksioneve, autoritetet kompetente ofruan informacion mbi bazat për revokimin e licencave të auditorëve ligjorë dhe firmave të auditimit.

Në raport thuhet se janë ndërmarrë hapa për të përmirësuar pajtueshmërinë me rekomandimet e tjera, por boshllëqet mbeten. Shqipëria inkurajohet të vazhdojë përpjekjet e saj për të adresuar mangësitë e mbetura. Komiteti i Ekspertëve për Vlerësimin e Masave Kundër Pastrimit të Parave dhe Financimin e Terrorizmit – MONEYVAL është një organ i përhershëm monitorimi i Këshillit të Evropës, të cilit i është besuar detyra e vlerësimit të pajtueshmërisë me standardet kryesore ndërkombëtare për të luftuar pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmin dhe efektivitetin e zbatimit të tyre, si dhe me detyrën për të bërë rekomandime për autoritetet kombëtare në lidhje me përmirësimet e nevojshme në sistemet e tyre.

Klan News