Arrestohen 3 infermiere dhe 1 sanitare në “Shefqet Ndroqi”



Arrestohen 3 infermiere dhe 1 sanitare në “Shefqet Ndroqi”

13:10 08/02/2021

Prokuroria: Kishin krijuar një skemë zhvatjeje për pacientët

Sanitarja e Spitalit Shefqet Ndroqi, Tire Alldërvishi nuk ka vepruar e vetme. Prokuroria e Tiranës ka urdhëruar arrestimin edhe 3 infermierëve dhe një tjetër sanitare e spitalit Covid 2, të cilët dyshohet se i kanë marrë lekë një vajze, duke e mashtruar se po e ndihmonin me kurimin e nënës se saj, e shtruar në këtë spital.

Në pranga janë vendosur infermieret Mira Bushi, Sheqerije Koçi, Sidorela Çela dhe sanitarja Rukije Hoxhaj. Skandali i denoncuar nga emisioni Stop, zbuloi se sanitarja Tire Alldërvishi i mori rreth 8 milionë lekë të vjetra vajzës së një pacientje, duke iu hequr si infermiere.

Sipas Prokurorisë, Tire Alldërvishi ka bashkëpunuar edhe me 3 infermierë të tjerë dhe një kolege të saj, teksa merrte shumat e parave.

Persona me detyrë infermiere apo sanitare në spitalin “Shefqet Ndroqi” kanë krijuar një skemë të mirëfilltë me qëllimin e vetëm kriminal që të përfitojnë sa më shumë në kurriz të pacientëve të sëmurë me sëmundjen Covid-19 dhe familjarëve të tyre”, thotë Prokuroria e Tiranës.

Nga urdhërndalimi i siguruar nga TV Klan, Tire Alldervishi kishte marrë një mesazh nga Sheqerije Koçi ku shkruhej: “Tire shko ndërroje pak Muhametin, se ta jap kafen kur të vij vete”. Ndërsa në një tjetër komunikim Tirja i thotë infermiere Mira Bushi që ka hyrë mik për të tek një pacient në dhomën 6 dhe Mira i thotë që “s’ka gjë se ne i ndajmë të gjitha”.

Prokuroria ka zbardhur takimin e Tire Alldervishit me vajzën e pacientes në një lokal pranë spitalit Covid 2. Alldervishi ka kërkuar 10 mijë lekë për doktoreshën dhe 5 mijë për infermierët dhe sanitarët që t’i hiqnin pampersin pacientes. Sipas prokurorisë kjo shumë vazhdonte çdo ditë dhe kanë qenë të pakta rastet që kallëzuesja ka dhënë vetëm më pak lekë përpos listës së ilaçeve që duhet të merrte nga jashtë.

Tv Klan







Të ngjashme