Opozita e Bashkuar e konsideron një akt të rëndë ndryshimin e Kushtetutës, disa muaj përpara mbajtjes së zgjedhjeve, ndërsa thotë se teoria e “faktit të kryer” bie ndesh me parimet e dialogut, duke iu referuar kështu veprimit të njëanshëm të mazhorancës për miratimin e këtyre ndryshimeve në komisionet parlamentare. Ky akt për ta cënon stabilitetin e vendit.

“Ecja drejt shkatërrimit nga Edi Rama i marrëveshjeve politike është një akt i rrezikshëm me pasoja të paparashikueshme për stabilitetin e vendit.”

Opozita e Bashkuar thotë se këto ndryshime prishin të dyja marrëveshjet si atë të 14 Janarit dhe atë 5 Qershorit.

“Edi Rama po bën fakt të kryer ndryshimin e elementëve bazë të sistemit zgjedhor, duke hequr koalicionet parazgjedhore si subjekt zgjedhor, duke ndryshuar konceptin e ndarjes administrative të zonave zgjedhore dhe organizimit elektoral, duke futur elementë të rinj në hartimin e listave dhe procesin e votimit, duke ndryshuar rregullat e administrimit zgjedhor”.

Opozita thotë se akti dëmton besimin e partnerëve strategjikë si SHBA dhe BE dhe se faturën për aktin e rëndë të dëmtimit të demokracisë në vend dhe integrimit të tij, duhet ta mbajë vetëm Kryeministri Edi Rama dhe jo shqiptarët.

Tv Klan