“Pikë Uji”, është ky filmi më i fundit i regjisorit të njohur Robert Budina, premiera e të cilit mbrëmjen e kaluar mblodhi në kinema, jo vetëm yjet e filmit, por edhe figura të njohura nga kinematografia dhe media.

Një film thriller, e cilëson regjisori Robert Budina, produksionin e tij filmik, i cili buron nga ndjesi të përjetuara gjatë jetës së tij, e që i përjetëson në personazhe të shumtë.

Aida, personazhi kryesor që interpretohet nga aktorja shqiptare nga Kosova, Gresa Pallaska, funksionare e rëndësishme në Bashkinë e qytetit, i kthehet mbrapsht fuqia e pushtetit, kësaj radhe për ta luftuar dhe për të nxjerrë në dritë të vërtetën, kur i biri akuzohet për përdhunimin e një vajze.

Por nëse të gjithë presin një fund dhe një përgjigje, zgjedhja e regjisorit është kjo: “Mendoj realisht se publiku është shumë inteligjent, sepse dhënia e një përgjigjeje, mund të distancojë një palë ose një tjetër”.

Premiera absolute duhet të ishte patjetër për publikun shqiptar, ama filmi ka një rrugë të gjatë në kinema në shumë vende të tjera e po aq një rrugë të rëndësishme në festivalet më prestigjioze europiane.

Filmi ndjek degëzime të tjera, që tek kriza në familje, emigrimi, drejtësia e munguar, dhe besimi tek media e cila është në pikëpyetje.

Tv Klan