Lionel Messi ka hedhur pas krahëve problemet shëndetësore. Pas javësh në infermieri për arsye dëmtimi, 8 herë fituesi i ‘Topit të Artë’ po vuante nga një gjendje gripale, e cila ndikoi për ta mbajtur jashtë fushave të lojës. Fituesi i Kupës së Botës nuk ka pësuar një dëmtim të mëtejshëm në kyçin e këmbës, të cilin e ka vuajtur për dy muajt e fundit dhe mbetet në ritmin për t’u rikthyer në një nga dy ndeshjet e ardhshme të Inter Miami.

Situata po shkon drejt normalitetit, me Messin që është vënë nën urdhërat e trajnerit Tata Martino. Do të jetë pikërisht ky i fundit ai që do të vlerësojë gjendjen fizike të argjentinasit, për të përcaktuar më pas nëse do të jetë në dispozicion për ndeshjen e së shtunës kundër Philadelphia. Në rast se 37-vjeçari nuk ia del për të qënë në fushë që këtë fundjavë, atëherë me gjasa, Messi do jetë i gatshëm për sfidën e mesjavës kundër Atlanta United të enjten e ardhshme.

Ish-lojtari i Barcelonës dhe PSG ka luajtur në 12 ndeshje kampionati këtë sezon, duke shënuar 12 herë dhe asistuar në 14 raste. Messi gjendet prej maujit korrik në infermeri pas një dëmtimi që pësoi në kyçin e këmbët në finalen e Kupës së Amerikës.

Klan News