Bashkia e Tiranës vijon investimet në lagjet e kryeqytetit. Gjatë inspektimit të përfundimit të punimeve në “Lagjen e Artistëve” te Komuna e Parisit, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se kjo zonë po merr mbrapsht atë çfarë ka prodhuar ndër vite në art dhe kulturë.

“Disa nga ndërhyrjet janë ndërhyrje publike, si këto dritat zbukuruese që nuk i kemi në çdo lagje të Tiranës. Por, unë besoj se një lagje që ka prodhuar kaq shumë për vendin, kur kujtoj se këtu kanë pasur studiot e tyre artistët Kristaq Rama, pastaj familja Krisiko, Rira, e shumë të tjerë, vërtet mendoj se i kemi dhënë lagjes mbrapsht atë që lagja ka i dhënë me shumë bujari gjithë Shqipërisë për vite me radhë. Për këtë arsye, ky investim është edhe një kompensim i qytetit, në shenjë mirënjohje, për të bërë diçka unike, të cilën nuk e bëjmë tipikisht në çdo lagje tjetër”, tha Veliaj.

Veliaj u ndal edhe te hapësirat kushtuar artit në kryeqytet.

“Mezi pres që, jo vetëm në hapësira që e dedikuara për artin, siç është Galeria e Tiranës me ekspozitën e Andy Warhol, por edhe në hapësira të tilla, të improvizuara, të mund të bëjmë art në komunitet. Kur ishim Kryeqyteti Evropian i Sportit, Kryeqyteti Evropian i Rinisë dhe vitin tjetër do të jemi Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut, pamë se këto tituj prodhuan ekonomi për qytetin. Kaq shumë turistë në Tiranë nuk i solli Zana e Malit, por u prodhua një provokim me këto aktivitete, ato sollën turistët. Investimi në art prodhon ekonomi. Di të them se për çdo një qindarkë që kemi investuar në art e në kulturë, ka prodhuar shumëfish në turizëm, me shpenzimet e tjera dhe rritjen e vlerës së pronës”, tha ai.

Sipas kryebashkiakut Veliaj, edhe pse jemi në sezon veror puna për rehabilitimin e blloqeve të banimit nuk do të ndalet.

Tv Klan