1881 raste të reja dhe 31 viktima në 5 ditë

Në Maqedoninë e Veriut, kjo javë ka shënuar shifra rekorde të të infektuarve me COVID-19. Duke filluar nga e hëna e deri të premten raportohet për 1881 raste të reja dhe 31 viktima. Autoritetet e shëndetësisë në vend thonë se mosha më e prekur është nga 20 – 39 vjeç. Në rrezik janë vënë edhe Covid-qendrat nëpër shumë qytete të Maqedonisë së Veriut për shkak të mbingarkimit të kapaciteteve.

“Nëse ne mbrohemi nga ky virus do I japim mundësi sistemit shëndetësor që për një periudhë më të gjatë të arrijë t`i shërojë ata të cilët janë në fazë kritike. Nëse ne vazhdojmë me këtë avaz duke mos ju përmbajtur rregullave dhe rekomandimeve nga qeveria do të krijojmë kaos në institucionet shëndetësore”, tha Liridon Disha, mjek.

Të hënën duhet të vendoset nëse do të ketë masa tjera shtrënguese. Komisioni ka propozuar mbajtjen e detyrueshme të maskave në ambiente të hapura, ndalimin e grupimeve familjare si dhe lokalet të punojnë deri ora 23.00.

Nëpër covid-spitalet e vendit janë të shtruar afro 500 pacientë kurse gjendja e rreth 70 prej tyre raportohet të jetë më e rëndë. Ata trajtohen me oksigjeno terapi apo janë të kyçur në respiratorë.

Tv Klan