Ahmetaj: Programi i PD falimenton Shqipërinë vitin e dytë të qeverisjes

Mbështetjen që program i demokratëve ka shprehur ndaj pensionistëve dhe shtresave në nevojë, kampi tjetër politik e konsideron jo vetëm të parealizueshëm, por një tallje që u bëhet pensionistëve. Gjatë seancës plenare të Kuvendit të Shqipërisë, Ministri i Shtetit për Rindërtimin Arben Ahmetaj, tha se propozimi i PD-së për uljen e kontributeve të sigurimeve shoqërore krijon një defiçit vjetor të skemës në 800 milion dollarë dhe rrezikon dhënien e pensionit për 650 mijë pensionistë. Nëse kjo politikë do të kombinohej me rritjen e pensioneve, për Ahmetaj, shteti do të falimentonte që vitin e 2-të të qeverisjes.

“Është tallje, si shumëkush që e mban mend parullën: “Me ne fitojnë të gjithë dhe përfunduan te Sudja. Programi i tyre falimenton Shqipërinë që vitin e dytë.”

Përgjigje akuzave të opozitës brenda parlamentit për masat që ka marrë qeveria për të shpëtuar biznesin gjatë pandemisë dhe vendet e punë ka kthyer edhe ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj. Denaj tha se në fund të vitit 2020 tregu i punës i është rikthyer tendencës rritëse me 1255 më shumë të punësuar se një vit më parë.

“Shifrat tregojnë se në dhjetor të vitit 2020 numri i të punësuarve është 689,648 ndërkohë që në dhjetor të vitit 2019 është 688,393. Sikurse edhe me numrin e bizneseve të regjistruara apo në efekt neto, efekt që vjen në regjistrim-çregjistrim, ka një trend pozitiv.”

Kuvendi miratoi në fund të seancës edhe ndryshimin e kontratës koncesionare të Aeroportit të Tiranës, e cila zgjat me 13 vjet shtesë koncesionin në këmbim të uljes së tarifës së pasagjerëve dhe investimeve për zgjerimin e terminalit dhe pistës.

Tv Klan