Pavarësisht niveleve të larta të vaksinimit, rastet me koronavirus në disa vende evropiane po njohin vetëm rritje. Disa shtete po rikthejnë masat e rrepta në përpjekje për të frenuar rritjen e rasteve të shkaktuara së fundmi nga varianti Omicron.

Përpara festave, Belgjika do të mbyllë kinematë dhe teatrot por muzetë, bibliotekat dhe palestrat do të qëndrojnë të hapura. Ndërsa në Spanjë mbajtja e maskave do të bëhet sërish e detyrueshme për qytetarët. Vendi shënoi infektime rekord me Covid-19 ndërsa varianti Omicron po përhapet.

Kryeministri Pedro Sanchez tha se qeveria e tij synon që të vaksinojë 80% të grupmoshës 60-69 që të marrin dozën përforcuese deri në fund të javës së ardhshme.

Disa rajone kanë vendosur gjithashtu masa më të rrepta për të pavaksinuarit përpara Krishtlindjeve, duke zgjeruar përdorimin e pasaportës shëndetësore për të hyrë në vende si bare dhe restorante. Në ndryshim nga disa vende të cilat kanë imponuar masa të rrepta, qeveria e kryeministrit Boris Johnson duket se nuk do t’i ndryshojë rregullat. Varianti Omicron ka përkeqësuar situatën epidemiologjike në vend duke bërë të mundur që rastet e infektimeve ditore të arrijnë në mbi 100 mijë.

Klan News