Policia bllokon qarkullimin, nuk ka rezistencë nga banorët

Fadromat e IKMT, të shoqëruara nga policia, rinisën herët në mëngjes sot prishjen e disa objekteve në zonën e “Astirit” në Tiranë, për t’i hapur rrugë projektit të “Unazës së Re”.

Aksioni bëhet për shembjen e 25-30 objekteve, ku përfshihen dyqane dhe banesave. Forca të shumta policie kanë kryer rrethimin e zonës, megjithëse nuk duket se ka rezistencë nga banorët.

Trafiku është devijuar nga policia përgjatë të gjithë “Unazës së Re”, nga rrethrrotullimi i “Astirit” deri tek “Shqiponja”.

Ndërkohë ish-deputeti Klevis Balliu në një prononcim për mediat tha se PD do t’i dëmshpërblejë sipas ligjit këta banorë kur të vijë në pushtet.

“Partia Demokratike do u përgjigjet cent për cent. Do marrin lekët siç u takon me ligj dhe me kushtetutë. Me çmimin e tregut sepse është e drejta e tyre. Nuk po bëjmë as nder, asgjë, thjesht po respektojmë ligjin dhe Kushtetutën. PD do u përgjigjet qytetarëve të “Unazës” dhe të gjithë qytetarëve të cilëve u janë bërë të padrejta”, tha Balliu.

Tv Klan