Xhaferi: Votimi në parlament, limiti në Korrik

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi tha sot se muaji Qershor apo Korrik është afati i fundit për fillimin e procedurës për ndryshimet kushtetuese, në mënyrë që procedura të përfundojë deri në Nëntor, kur edhe përfundon skriningu nga BE.

Gjatë një deklarate me gazetarët, ai tha se, zgjedhjet e parakohshme parlamentare nuk do ta zgjidhnin problemin e mungesës së votave të mjaftueshme për ndryshimet kushtetuese, por përkundrazi do të komplikonin çështjen.

“Për tejkalimin e problemit me shumicën, nevojitet që pushteti dhe opozita të ulen dhe të bisedojnë. Unë mund të shpall zgjedhje vetëm në momentin kur të pajtohen partitë politike që të shpërbëhet Kuvendi apo kur të përfundojë mandati në 90 ditët e fundit. Në kushte të tjera, partitë duhet të dalin me propozim adekuat”.

Në lidhje me hyrjen e Aleancës për Shqiptarët në Qeveri, Xhaferi tha se nuk ka informacione se deri ku janë bisedimet për këtë.

Ai tha se e mirëpret një shumicë të re parlamentare, duke shtuar se çdo mbështetje për punën e Kuvendit është i mirëseardhur.

Aleanca për Shqiptarët në Kuvendin e Kryesisë Qendrore që u mbajt të shtunën, i dha dritë jeshile fillimit të negociatave për hyrjen e kësaj partie në qeveri.

Klan Macedonia