Rreth 300 është numri i qytetarëve të cilët kanë shkuar në spitalin e Krujës për ndihmë mjeksore, me shenja helmimi. Në një reagim, drejtoresha e këtij spitali, Yllka Sheta tha se kjo situatë ka nisur që prej të dielës në mëngjes. Ajo po ashtu tha se situata është nën kontroll.

“Kjo situatë vijon që nga e diela në mëngjes. Me shenja helmimi kanë ardhur rreth 300 qytetarë. Nuk ka patur raste të rënda që t’i dërgonim për mjekim të specializuar në Tiranë, kanë marrë të gjithë shërbimin këtu. Situata është nën kontroll”, u shpreh Sheta.

Shenjat kryesore të qytetarëve që kanë pasur probleme kanë qenë të vjella, diarre, dhimbje barku dhe temperaturë. Pas marrjes së ndihmës në spital të sëmurët janë larguar për në banesë. Me marrjen e informacionit janë vënë në lëvizje autoritetet shëndetësore.

Burime zyrtare të ISHP i thanë Tv Klan të hënë se kanë marrë 8 mostra të feçeve për analizim të baktereve. Analizat e ujit të pijshëm kanë dalë të pastra, por hetimet për të zbuluar shkakun e helmimit vijojnë. ISHP thotë se ka kontaktuar me personelin e shëndetit publik dhe po e mban nen monitorim situatën.

Për ngjarjen pati një reagim edhe presidenti llir Meta.

“Me shqetësim po përcjell helmimin në masë të banorëve të Krujës, një situatë alarmante, që duhet trajtuar me shumë përgjegjësi dhe seriozitet nga institucionet shtetërore përgjegjëse për shëndetin publik, por edhe nga drejtësia. Qytetarëve të helmuar, ju uroj shërim sa më parë dhe tejkalimin pa pasoja të rënda dhe afatgjata, si dhe ju shpreh familjeve të tyre të gjithë solidaritetin! Mbështes dhe përgëzoj ekipet mjekësore për kujdesin dhe profesionalizimin e dëshmuar derimë tani dhe i nxis shërbimet shëndetësore epidemiologjike dhe ato të mjekësisë ligjore të zbardhin sa më parë burim shkakun dhe shkaktarët dhe përgjegjësit e kësaj ngjarjeje të rëndë, që përbën një kërcënim serioz për jetët njerëzore dhe Sigurinë Kombëtare“, u shpreh ai në një postim në rrejtet sociale këtë të martë./tvklan.al