Ekspertët: Dukuri e pandemisë dhe “Cash”-it të lartë jashtë bankave

10% e kompanive që kanë një hua për të paguar e kanë marrë atë jashtë kanaleve zyrtare siç janë bankat apo institucionet financiare të mikrofinancës. Dukuria ka qenë në rritje gjatë vitit të pandemisë, ku një pjesë e ndërmarrjeve kanë marrë para në biznese të tjera, individë, ose kanë një mall të papaguar.

Ekspertët financiarë thonë se emergjenca që shkaktoi goditja e pandemisë bënë që shumë sipërmarrës të zgjidhnin rrugën më të shkurtër, por kjo dukuri është mbështetur edhe nga rritja e konsiderueshme e parasë “Cash” në qarkullim.

“Është tipike zhvillim i efekteve që solli pandemia, pasi për një periudhë kohe kishim një ndalim të kredidhënies, por ka dhe një tjetër element që është rritja e qarkullimit të parasë jashtë bankave. Këto para duam s’duam do të përdoren diku.”

Marrja e huave pa patur një kuadër ligjor që mbron palët të cilat hyjnë në marrëveshje ka risqe të rritura si për bizneset edhe familjarët thonë ekspertët.

“Ka rreziqe të shumta sepse nuk ka kuadër ligjor që i mbron dhe mund të shkaktojë dëme të mëdha në fushën sociale.”

Fenomeni i marrjes së parave me fajde ka qenë më i theksuar të individët, ku në pjesën e dytë të vitit 2020 afro 1 e 3-ta e qytetarëve që kanë borxh nuk e kanë marrë në banka apo institucione mikrokrediti.

Tv Klan