Rritja e pagës minimale shton detyrimet për kontributet



Rritja e pagës minimale shton detyrimet për kontributet

16:35 24/01/2021

Edhe paga maksimale rritet, shkon në 132,300 Lekë

Mënyra e pagesës së sigurimeve shoqërore për të vetëpunësuarit dhe ata që paguhen me pagë minimale do të ndryshojë për deklarimet që bëhen në sistemin e tatimeve.

Tashmë si referencë për kontributet do të merret një shtesë prej 4 mijë Lekësh për të siguruarit me pagë minimale.

Eksperti kontabël Bujar Bendo shpjegon se këto deklarime bëhen për efekt të muajit Janar dhe kanë afat deri më datën 20 Shkurt. Për të gjithë fashën e të siguruarve me pagë minimale shtesa që do të paguhet krahasuar me vitin e shkuar është 1,116 Lekë në muaj ose 13,400 Lekë në vit.

“Me 4,000 Lekë shtesë page kemi 1,116 Lekë që i takojnë shtetit. Janë gati 30 mijë punonjës, gati 7.5 miliardë do të jetë ndikimi në buxhet”.

Njëkohësisht me pagën minimale, edhe paga maksimale për efekt të pagesës së kontributeve është rritur nga 114,700 Lekë në 132,300 Lekë.

Kontabilistët sqarojnë se dhe bizneset më punonjës me pagë të lartë, kryesisht në kompanitë e mëdha, ngarkesa për pagesën e taksave do të rritet.

“Kosto që rritet për pagat maksimale shkon në fashën mbi 10,000 Lekë të reja. Ne do të shikojmë që do të kemi efekte që me pagën maksimale ose me fashat e tjera të pagave, do të ketë ulje të raportimit në paga”.

Sipas llogaritjeve, janë në total 37 milionë Euro ngarkesë fiskale për kategoritë që preken nga rritja e pagës minimale dhe maksimale.

Tv Klan






Të ngjashme