Në një konferencë për mediat, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku ka thënë se janë arrestuar 2 eksponentë kriminalë, Julian Meçe dhe Plarent Dervishaj.

Gjatë fjalës së tij, Rrumbullaku është shprehur se Julian Meçe dhe Plarent Dervishaj janë sjellë nga Emiratet e Bashkuara Arabe në Shqipëri përmes aeroportit të Rinasit.

Më tej, drejtori i Përgjithshëm i Policisë, ka konfirmuar se Meçe dhe Dervishaj ndodhen pranë dhomave të sigurisë së Drejtorisë së Policisë Tiranë.

FOTO: Julian Meçe (majtas), Plarent Dervishaj (djathtas)

Muhamet Rrumbullaku: Policia e Shtetit është partneri më i besueshëm përsa i përket luftës kundër krimit të organizuar, organizatave kriminale në një bashkëpunim me SPAK dhe të gjithë prokuroritë. Në kuadrin e informacioneve dhe operacioneve të fshehta policore, Policia e Shtetit ka bërë të mundur arrestimin e 2 eksponentëve të krimit të organizuar në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal dhe të organizatave kriminale, Plarent Dervishaj dhe Julian Meçe.

Është kontribut i punës së djemeve dhe vajzave dhe të gjitha strukturave në një nivel kombëtar të Policisë së Shtetit, të departamente respektive, por edhe bashkëpunimit me Emiratet e Bashkuara Arabe për mënyrën e operacionit policor të organizuar nga Policia e Shtetit dhe me mbështetjen 100% të partnerëve tanë të Emirateve të Bashkuara.

Mund të ju konfirmoj edhe një fakt tjetër për ekzekutimin e një vendimi, Fabio Ballabani, edhe ky pjesë e grupit të strukturuar kriminal, për të cilin bëhet ekzekutimi i vendimit në një vend partner, aktualisht vuan dënimin në një burg.

Pyetje: Kur pritet ekstradimi i tyre në territorin tonë?

Muhamet Rrumbullaku: Është bërë ekzekutimi i vendimit dhe ata ndodhen pranë dhomave të sigurisë së Drejtorisë së Policisë Tiranë.

Pyetje: Në cilin vend janë ekstraduar ata dhe a ndodhen aktualisht në Drejtorinë e Policisë së Tiranës?

Muhamet Rrumbullaku: Zotërinjtë janë nisur nga aeroporti i Rinasit për në dhomat e sigurisë së Drejtorisë së Policisë Tiranë. Kanë ardhur nga Emiratet e Bashkuara Arabe.


Plaurent Dervishaj është person i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar ndaj tij masën “arrest në burg” për “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal” dhe “kryerjen e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.

Më datë 26 Shkurt 2005, në Durrës, Plaurent Dervishaj, në bashkëpunim me I. T., L. B. dhe L. R. dyshohet se, kanë vrarë Klodian Saliun me armë zjarri. 

Më datë 27 Shkurt 2005, Plaurent Dervishaj, në kuadër të grupit të organizuar kriminal, në bashkëpunim me subjekte të tjerë të hetuar, përkatësisht E. Sh., I. T., L. B., etj., dyshohet se kanë vrarë Vajdin Lamajn dhe Artan Arsin, me eksploziv.

Ndërsa Julian Meçaj është person i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar ndaj tij masën “arrest në burg” për “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”, “kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.

Më datë 1 Nëntor 2019, në autostradën Durrës-Tiranë, pranë mbikalimit të Shkozetit, është gjuajtur disa herë me armë ndaj automjetit të drejtuar nga Andi Maloku (i cili humbi jetën), ku pasagjer ishin edhe ish-prokurori Arjan Ndoj dhe A. L. Nga hetimet, Julian Meçaj është identifikuar si një nga autorët, duke e kryer këtë krim në bashkëpunim me shtetas të tjerë.


Ndërkohë, në lidhje me informacionet për lirimin e Durim Bamit nga burgu në Dubai, Rrumbullaku është shprehur se ka një ndryshim të masës së sigurisë, po jo lirim të tij./tvklan.al