Amar (Dritan) Shkëmbi u arrestua në Abu Dhabi. Shkon në 8 numri i të arrestuarve, edhe 3 në kërkim

Amar Shkëmbi, 39-vjeç është arrestuar gjatë një operacioni nga Policia e Shtetit, SPAK dhe Interpol Abu Dhabi. Shkëmbi, i njohur dhe me emrin Dritan, pjesë e një grupi kriminal u ndalua në Emiratet e Bashkuara Arabe, me qëllim ekstradimin drejt vendit tonë.

39-vjeçari ndodhej në kërkim ndërkombëtar, për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj ku mbeti i vrarë shoferi i tij, Andi Maloku. Gjykata e Posaçme i ka caktuar Shkëmbit “arrest me burg” për vrasje të funksionarëve publik të mbetur në tentativë, vrasje në rrethana cilësuese, mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve luftarake dhe municionit, grup të strukturar kriminal dhe kryerjen e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal.

Operacioni i koduar Abu Dhabi u finalizua nën koordinimin e qendrës së Interpolit në Lion Francë.

Atentati ndaj ish-prokurorit Ndoj, u zbardh pas më shumë se tre vitesh hetime, konkretisht në 20 Janar të këtij viti.

Atentati ku mbeti i vdekur Andi Maloku u organizua nga 11 persona që bashkëpunuan si grup kriminal.

Sipas SPAK në rolin e qitësit ishte Redjan Rraja, ADN e të cilit u gjet në sendet e sekuestruara në makinën e përdorur në atentat dhe të braktisur në Shkafanë të Ishmit, si dhe shtetasi tjetër Arjol Halilaj.

Të dy janë të arrestuar dhe po gjykohen. Krahas tyre, rreth 1 muaj më parë SPAK arrestoi edhe 5 të tjerë, mes tyre personazhe të njohur të krimit. Amar Shkembi është i teti që arrestohet, ndërsa tashmë në kërkim janë edhe 3 të tjerë, përkatësisht Plarent Dervishaj, Julian Mecaj dhe Ramazan Rraja.

Klan News