RUDINA – EMISIONI 03 QERSHOR 2019! – TV KLAN

RUDINA – EMISIONI 03 QERSHOR 2019!

Emision: 03.06.2019

Të ftuar:

Olsa Maze Poshka –  Regjisore
Xheladin Poshka – Regjisor

Ajo është një regjisore që la gjithçka pas, famën, televizionin dhe jetën në Tiranë për të ndërtuar gjithçka nga fillimi në qytetin e Strugës. Portreti i vajzës çame lindur dhe rritur në Tiranë ishte më i ndjekuri në vitet 2002-2003, kur ajo drejtonte programe të ndryshe televizive të asaj kohe.

Gjatë viteve të shkollimit të saj për regjisurë, Olsa Maze Poshka u njoh me një djalë nga Struga, Xheladin Poshkën, i cili po ashtu kishte zgjedhur Akademinë e Arteve në Tiranë për të studiuar të njëjtën degë. 17 vite më parë ai do t’i rrëmbente zemrën Olsës duke ndërtuar hap pas hapi jetën e tyre në një qytet puthur me liqenin e Ohrit, Strugën. Të karikuar nga dija e pasioni për të krijuar diçka edhe më të madhe, dy regjisorët e rinj krijuan të parin teatër në qytetin e Strugës në vitin 2007.

Çifti i regjisorëve ishte sot i ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan ku treguan se si arritën të krijojnë teatrin e parë dhe të vetëm në qytetin e Strugës.

“Në vitin 2001 bashkë me vëllain tim Agim Poshka hodhëm një ide për të çelur një art kafe ku mund të përfshiheshin shumë elemente të poezisë, teatrit, në kuadër të asaj çfarë mund të përmbante një lokal. Por e gjithë kjo u bë me iniciativë për t’u bërë diçka artistike sepse Strugës i mungonte. Struga historikisht ka pasur tendenca pro artit, por mundësitë kanë qenë të vogla dhe njerëzit e artit gjithmonë janë larguar nga qyteti. Edhe pse nami se është qytet i poezisë, artit, kulturës, ende qëndron. Në atë vit ne bëmë mjaft gjëra artistike. Në vitin 2006 ne u diplomuam në Tiranë dhe ideja për ta zgjeruar kafenenë ekzistonte në ato momente. Olsa me idetë e veta mbi Strugën tha: Pse të mos bëjmë një teatër privat? Dhe kështu nisi. Si prodhime tonat në një vit kemi 4 premiera të cilat përsëriten gjatë vitit, por kemi edhe aktivitete të tjera si promovime librash, kemi pasur filarmoninë e Kosovës”, u shpreh Olsa Maze Poshka.

“Kryesisht shfaqjet janë nga ato që i vendosim unë edhe Xhelo. Ndër të tjera, ne kemi në teatër edhe shkollën e edukimit përmes teatrit dhe mendoj që kur hapet një derë teatri mbyllet një derë burgu. Ne kemi hapur një shkollë ku nuk pretendojmë të bëjmë aktorë të mirë, gjë që sikur të ndodhë do të jetë shumë mirë, por pretendojmë në radhë të parë të bëjmë qytetarë të mirë, tolerantë dhe që të duan më shumë njëri-tjetrin”, tha Xheladin Poshka.

Meri Shehu – Astrologe

Sikurse çdo fillim muaji, të gjithë jemi kuriozë të dimë parashikimin e fatit sipas astrologjisë dhe yjësisë. Dhe për të treguar më tepër për shenjat më të favorizuara të muajit Qershor, astrologia Meri Shehu ishte e ftuar sot në emisionin “Rudina” në Tv Klan.

“Qershori do të jetë një muaj optimist, do të kemi mundësi të rregullojmë dhe të stabilizojmë gjërat. Yjet këtë muaj sikur marrin “pushimet”, do të pozicionohen më ëmbël, më qetë, nuk do të duan të përplasen shumë, përveç dy ditëve, datës 10 dhe datës 23”, tha në mënyrë të përgjithshme Meri Shehu.

Renditja e shenjave të horoskopit nga ajo me më pak fat tek më e favorizuara për muajin Qershor:

12.Shigjetarët. Shumë prej tyre mund të më japin të drejtë sepse kanë ndjerë një “tërmet” në jetën e tyre dhe këto tronditje i kanë ndjerë si të çuditshme. Ka pasur shigjetarë që janë ndjerë në hov nga ndryshimet e mëdha, por që nuk po i kapin dot. Muaji Qershor i vë përballë me veten, me dëshirat, ekonominë dhe jetën personale.

11.Bricjapët. Janë në këtë pozicion sepse do të riskojnë shumë ekonomikisht dhe do të bëjnë një investim pune që me sa duket nuk do të ketë bazën e duhur dhe mund të mos ketë rezultat. Ky risk mund të jetë mbi atë çfarë mund të mbajnë dhe në marrëdhëniet në punë nuk duhet të afrohen më shumë me njerëzit që punojnë. Duhet të kenë kujdes edhe me shëndetin.

10.Peshqit. Do ta kenë jupiterin në vitrinë dhe shumë gjëra për ta sikur do të deklarohen. Mund të kenë ngritje në karrierë, famë, martesë, por të gjitha këto do të bëhen në emër të një shoqërie sepse peshqit janë shenjë e ndikuar. Mirë është të bëjnë gjëra të cilat i ndjejnë dhe që iu përshtaten më shumë. Me shëndetin mund të kenë probleme sepse do të harxhojnë energji dhe do të kenë tension për të arritur gjëra më të mëdha.

9.Demi. Në 10-ditëshin e fundit të muajit do të kenë një hov të madh pune, shpirtëror, ekonomik. Ky muaj ka kundërshti për të, do t’iu sjellë fat, por ndërkohë edhe përgjegjësi. Mund të rrezikojnë për një përmbysje ose shpenzim të paqartë.

8.Virgjëresha. Me pak kujdes mund të arrijnë shumë me punën, karrierën dhe jetën personale. Afërdita do t’iu japë mundësi zgjedhjeje, por ata që kanë pasur probleme me ligjin mund të hasin probleme. Do kenë përmirësim të dukshëm në shëndet. Do marrin vendime të mëdha, për fejesë apo martesë.

7.Dashi. Do te kenë udhëtime, plane, projekte dhe varet se sa strategjikë do të jenë ata në këtë aspekt. Unë do iu sugjeroja që të shikojnë mirë kontaktet me jashtë.

6.Akrepi. Është në këtë pozicion sepse Afërdita do të futet në Binjak dhe në shtëpinë e tetë do të kenë edhe një Hënë të re. Kjo ka të bëjë me çështjet ekonomike dhe shpirtërore. Dalin më të çliruar nga detyrimet dhe me mundësi më të mëdha ekonomike.

5.Luani. Do ta shijojnë Qershorin. Kemi Mërkurin që do të futet në Gaforre dhe kjo do t’i vërë në mendime, meditime, por edhe në frymëzim. Ndoshta do të jetë një muaj frymëzues që pas datës 23 të dalin me projekte konkrete dhe të bindur se çfarë duan të bëjnë. Mund të themi që kanë një periudhë reflektimi, parapërgatitje dhe studimi të jetës personale dhe pas datës 27 nuk do t’i ndalë askush. Biznesi është ai që do triumfojë për Luanët.

4.Peshorja. Do mblidhen disa ndikime të forta, por ky muaj do të jetë si një binjakëzim për ta, për idetë dhe mundësitë. Problemet për ta, nëse do të kenë, do vijnë nga jashtë Shqipërisë.

3.Ujori. Janë marrë shumë me shtëpinë dhe pastaj i thërret dashuria dhe planet. Do çlirohen dhe dalin të përparuar.

2.Gaforrja. Do të dëgjohet shumë për shenjën e tyre këtë muaj sepse Mërkuri është futur në shenjën e tyre. Këto ditët e para do të kenë një lajm jo të mirë, me çështjet ligjore që do t’i kthejë pak pas ose do t’i detyrojë të futen në marrëdhënie më të shumta me të tjerët. Duhet të çlirohen më shumë dhe të marrin vendime. Do jetë muaj komunikimesh, vendimesh, nervash dhe debatesh. Do të rregullojnë shumë gjëra dhe i paraprijnë futjes së Diellit në shenjën e tyre.

1.Binjakët. Qershori është muaji i tyre, ata që nuk kanë gjetur një partner apo një partnere do ta gjejnë, ata që nuk kanë gjetur një punë dhe nuk janë stabilizuar do të ndihmohen ta bëjnë këtë gjë. Do fillojnë të rregullojnë ekonominë. Kujdes në datën 10, mund të kenë një ditë fatale, por do t’i kapërcejnë. Duhet të respektojnë fatin dhe mundësitë që iu jepen.

Kategori
Rudina
0 Komente

Përgjigju

*

*





Emisione