Të ftuarit : Blendi Fevziu, Ndue Ukaj

Shuhet kolosi i letërsisë shqiptare, Ismail Kadare/ Blendi Fevziu: Si u njoha me të

Fevziu krahason Kadarenë me Nënë Terezën: Është shqiptari më i njohur në Perëndim!

Data 1 Korrik 2024 shënon një ditë të hidhur për artin shqiptar, me humbjen e kolosit Ismail Kadare. Duke e njohur personalisht e përmes veprave të tij, gazetari Blendi Fevziu foli për shkrimtarin sot te “Rudina”.

Sipas gazetarit, letërsia moderne shqiptare fillon me Kadarenë.

“Është një nga bashkëbiseduesit më të mirë që kam njohur në jetën time dhe me diapazon të jashtëzakonshëm kulturor. Stili im, nëse lexoj disa nga shkrimet e mia të gjimnazit apo fakultetit janë kopje të Kadaresë. Fjalët që përdorja vinin nga ndikimi i tij. I gjithë brezi im është ndikuar, përveçse letrar ai shihej edhe si një pol lirie në Shqipërinë e komunizmit. Letërsia moderne shqiptare fillon me Kadarenë. Kemi pasur tentativa të Mitrush Kutelit, edhe Ernest Koliqit, Lasgush Poradecit, por letërsia reale moderne, në nivel evropian fillon me “Gjeneralin e Ushtrisë së Vdekur” dhe një nga veprat monumentale. “Kronikë në gur”, që është një nga romanet më të jashtëzakonshme, edhe “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”, “Viti i mbrapshtë”. Të treja i kanë qëndruar kohës, i kam lexuar vonë për të kuptuar realisht ca ndryshimi. Kisha të njëjtën shije estetike, u impresionova sa njohje kishte të pushtetit.”

Më tej, thekson se shkrimtari i ndjerë është padyshim shqiptari më i njohur në Perëndim.

”Është shqiptari më i njohur në Perëndim, edhe më shumë se personazhet politike. Po ta krahasosh me Nënë Terezën… por ajo ka qenë shqiptare me origjinë. Por si produkt tipik shqiptar, ishte shkrimtari më i njohur, kandidat për Nobel në më shumë se 15 raste që prej vitit 1980. Për 40 vjet, ka qenë kandidat, është përkthyer në 45 gjuhë të botës. Është anëtar i Akademisë Franceze. Ka marrë çdo çmim të rëndësishëm botëror. Flasim për shqiptar të lindur, shkolluar dhe me aktivitet në Shqipëri.”

Takimi i vetëm personal mes Ismail Kadaresë dhe Enver Hoxhës

Gazetari Blendi Fevziu ka folur sot në studion e “Rudina” edhe për takimin e diktatorit Enver Hoxha me shkrimtarin e madh Ismail Kadare.

“E ka takuar vetëm një herë në takim personal. Takim në vitin 1969, 1970. Ai po shkruante “Dimrin e Vetmisë së Madhe”. Kishte kontaktuar me bashkëshorten e Enver Hoxhës për të vënë në dispozicion arkivat e Moskës. Ajo e fton për një kafe në shtëpi, ai shkon bashkë me vajzën e madhe. Troket dera një moment, futet diktatori i cili thotë: A ju shqetësoj një minutë, a mund të ulem pak me ju? Gjithë biseda siç përmend ai dhe ish-bashkëshortja e Enver Hoxhës, biseda ka qenë rreth Gjirokastrës dhe takimit të Moskës për të cilin Kadareja do shkruante. Folën për sokakët. Shtëpitë e tyre lidhen nga “Sokaku i të Marrëve”. Kadareja thoshte me të qeshur se dy më të marrët e Shqipërisë nuk mund t’i lidhte një rrugë me emër tjetër. Kanë 28 vjet diferencë me njëri-tjetrin, por gjithsesi kishin nostalgji për Gjirokastrën.  Kadare s’ka qenë një njeri i afërt me Enver Hoxhën.

3 vjet më parë, Arkivi i Shtetit më ka sjellë bisedat më private në zyrën e Enver Hoxhës në 1982, ku flitet për një arrestim të mundshëm të Kadaresë. Por të nesërmen i rithërret njerëzit dhe është e çuditshme se thotë ta arrestojmë se mos po bëjmë gabim? Ramiz Alia i përsëriste fjalët, ai s’donte t’i jepte një disident Perëndimit. Ai e dinte që Franca po priste këtë. Enver Hoxha nuk donte t’i jepte Perëndimit idenë e një njeriu që sfidonte regjimin e tij”, tregoi Fevziu.

Marrëdhënia e Ismail Kadaresë me Kosovën/ Flet shkrimtari Ndue Ukaj

Lamtumirë, Ismail Kadare! Shuhet gjeniu i letrave shqipe

/tvklan.al