Ermira Babaliu – Këngëtare

Këngëtarja mjaft e dashur për publikun, Ermira Babaliu, që në daljen e saj të parë në skenë ka rrëmbyer zemrat e publikut. Ajo spikati në vitet ’80-90, jo vetëm për zërin melodioz, këngët e bukura, por edhe për videoklipet e veçanta, pasi ishte ndër të parat këngëtare që realizonte videoklipe.

Ermira edhe sot vazhdon të mbetet një nga këngëtarët më të mira të muzikës së lehtë dhe serenatave.

Edhe pse është larguar nga Shqipëria, lidhjen me muzikën gjithmonë e ka mbajtur të fortë. Prej 23 vitesh jeton në Amerikë, së bashku me familjen e saj. Ajo ka një vajzë me emrin Dorela, që është e martuar dhe ka dy fëmijë, një djalë me emrin Landon dhe një vajzë me emrin, Luna.

Para pak ditësh është kthyer nga Amerika, për një koncert në Kosovë dhe  e ftuar në programin “Rudina” në Tv Klan, ajo ka treguar edhe më shumë detaje për karrierën dhe  familjen e saj.

E pyetur nga moderatorja nëse ka nostalgji për ato këngë dhe atë periudhë Babaliu shprehet:

Mund të them që më merr malli, por nuk kam shumë nostalgji, për arsye që unë nuk kam rreshtur asnjë ditë së kënduari. Siç duket, koha që vrapon ose kur ti vrapon ndërkohë me kohën, nuk të le kohë që të mendosh për të shkuarën, mbase do më duhen edhe nja 10, 15, 20, 30 vite, që të më marrë malli. Për atë kohë, mua më merr malli, për marrëdhënien e bukur që kishim ndërmjet nesh, më merr malli për marrëdhënien e bukur që kishim në grupin e krijimit të këngëve. Unë nuk mendoj se këngët e mia kanë dalë vetëm prej meje, ishte si të thuash një grup kritikësh. Nuk dilte kënga, po mos aprovohej nga ai grup”.

Babaliu është nderuar me çmimin “Tefta Tashko Koço” si dhe titullin “Qytetare nderi” në Pogradec. Gjithashtu, ajo është shpallur dhe Ambasadore e Paqes. Ajo ka publikuar 6 albume diskografike dhe ka realizuar shumë këngë të tjera.

Rudina Magjistari: Çfarë do ishe bërë nëse s’do ishe bërë këngëtare?

Ermira Babaliu: Së pari, do isha bërë mësuese shumë e mirë, për atë më zë malli.

Rudina Magjistari: Mësuese e cilës lëndë?

Ermira Babaliu: Tani, etikë. E kam kot, në ato kujtimet e mia të së ardhmes, vërtet etikë, vërtet këndvështrim. Do të kisha shumë dëshirë, që po të kem në ato vitet e ardhshme, të planeve të mia, po të kem jetë, të isha mësuese në klasë të parë, mundësisht në kopsht.

Rudina Magjistari: Ke durim me të vegjëlit?

Ermira Babaliu: Kam shumë durim, madje i kam çuditur të tërë, me dy fëmijët tanë. Më vjen pak inat për këtë, por s’kam ç’them, s’ia merrte mendja askujt që unë do kisha durim për këtë./tvklan.al

Albert Dumani – Drejtor i Programacionit në Tv Klan