RUDINA – LAXARELA FLET PER KARRIEREN E SAJ ARTISTIKE, FAMILJEN DHE QYTETIN E SAJ, KORCES; NJE KONCERT HUMANITAR NE KUJTIM TE GAZETARES ADELAJDA XHAMANI!

Emision: 08.11.2018

Të ftuar:

Laxarela Detin – Këngëtare

Ajo është një këngëtare korçare, nga ato tipiket që u këndojnë serenatave dhe dashurisë gjithë jetën e tyre. E ngjitur në skenë që në fëmijëri, për të mos u ndarë më prej saj, ende sot ajo me zërin e saj të veçantë dhe melodioz vazhdon të këndojë në skenën korçare.

Bëhet fjalë për Laxarela Detin, e cila është ndër këngëtaret e pakta që edhe pse ka gjithë jetën e saj që këndon, nuk ka realizuar asnjë videoklip.

Ajo ishte sot e ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan për të folur rreth jetës së saj artistike dhe lidhjes së dashurisë me bashkëshortin e saj.

“Aktiviteti im në muzikë ka nisur që në moshën 5-vjeçare në festivalin e pionerëve dhe vazhdoi deri në moshën 14-vjeçare. Pas saj kisha një luhatje për shkak të biografisë dhe nuk vazhdova shkollën e muzikës por atë të ndërtimit. Unë e lashë shkollën në vitin e katërt sepse nuk doja të punoja në ndërtim dhe menjëherë hyra në estradën e Korçës. Kënga e parë që kam kënduar ka qenë “Përherë të dua” e Apostol Simonit”, tha këngëtarja.

Gjatë emisionit ajo po ashtu na tregoi për lidhjen e veçantë me bashkëshortin. Këngëtarja tha se është njohur me të në moshë shumë të re dhe është martuar pas 13 vitesh që ishin të dashuruar.

“Unë dhe bashkëshorti im jemi martuar në 1996, kemi vënë kurorë në kishë. Ai punon në teatrin e Korçës, është fonist. Ne jemi njohur shumë të vegjël, ishim 18 vjeç dhe u realizua ëndrra jonë më në fund pas shumë përipecish. Kemi qenë për 13 vite të dashuruar përpara se të martoheshim. Ne duheshim shumë dhe unë vazhdoj ta dua njësoj. Unë doja të martohesha me të, thoja: O Zot të martohem me Benin dhe të kem një djalë që t’i ngjajë atij.

Dhe ashtu ndodhi. Martesa jonë erdhi pak vonë sepse ashtu ishin kohët. Por çdo gjë vajti në vendin e vet”, rrëfeu Laxarela Deti.

Eraldo Rexhon – Drejtor I Revistes “WHO”

Përpara afro 1 viti, përkatësisht mëngjesin e 30 Tetorit të vitit të kaluar, të gjithë u zgjuam me lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të një vajze të re, gazetares Adelajda Xhamani.

Ajo u bë pjesë e gazetarisë dhe televizionit duke sfiduar çdo paragjykim dhe vështirësi që i duhet të përballojë një vajzë që vendos të lerë provincën dhe të kërkojë një jetë më të mirë dhe më të suksesshme në kryeqytet.

Miku dhe bashkëpunëtori i saj më i ngushtë, Eraldo Rexho, një vit pas vdekjes së parakohshme të Adelës, ka vendosur ta rikujtojë duke ndërmarrë një projekt, me një kauzë të veçantë.

Një projekt i iniciuar nga miqtë e ngushtë të Adelës do të bëjë të mundur realizimin e një koncerti për t’i bërë homazh Adelës dhe për t’i dhënë shpresë një tjetër vajze të provincës, që njësoj si Adela ëndërron shkollimin dhe lirinë.

Eraldo Rexho ishte i ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan për të folur më shumë lidhur me këtë projekt.

“Në vend të Adelës”, është një iniciativë që synon të kthehet në traditë për të sjellë një model frymëzimi, atë që Adela synonte të arrinte një ditë.

Është një projekt që unë dhe Adela kishim planifikuar ta nisnim bashkë. Ajo donte shumë që përmes modelit të saj t’i jepte frymëzim çdo vajze që si ajo donin të kishin sukses. Ky projekt po shkon përpara nga unë dhe miq të tjerë që më janë bashkuar rrugës. Është një koncert humanitar që ka për qëllim sigurimin e një burse për një vazë province që ëndërron lirinë, të ketë jetën e saj dhe të jetë e suksesshme. Në këtë vit të parë ne kemi vendosur t’ia japim një vajze nga Kavaja. Koncerti do të mbahet më 12 nëntor në Art Turbina në Tiranë. Biletat kanë dalë në shitje që sot”, tha Rexho.

Ai po ashtu tha se ky vit pa Adelën për të ka qenë shumë i vështirë dhe se ende nuk e pranon që ajo nuk është më. Rexho tregon se vitet e fundit ka qenë shumë i lidhur me të dhe kalonin thuajse çdo ditë bashkë, por është i lumtur për mesazhet që ajo ka përcjellë të cilët kanë arritur të ndryshojë jetën e shumë njerëzve.

“Unë e njihja shumë mirë Adelën, shpenzova me të shumë kohë dhe në vitet e fundit të jetës së saj kemi qenë thuajse çdo ditë bashkë. Këto kohë unë kam marrë shumë mesazhe nga njerëz që e donin dhe e ndiqnin Adelën. Jam shumë i lumtur që me mesazhet që ajo ka përcjellë ka arritur të ndryshojë jetën e shumë njerëzve. Por me kalim e viteve ajo tregoi se nëse diçka e do fort mund t’ia dalësh dhe unë besoj se Adela ia doli.

Ky vit pa Adelën për mua nuk ka qenë i thjeshtë. Më është dashur shumë kohë që ta pranoj këtë gjë dhe ende nuk jam i sigurt nëse e kam pranuar apo jo, vazhdoj të besoj se është mes nesh. Ka lënë shumë kujtime. Pati edhe ajo momentet e saj të vështira dhe kur donte të hiqte dorë, por nuk u dorëzua dhe modeli që ajo la pas është një model që duhet ndjekur. Unë jam i lumtur që edhe pse Adela jetoi pak, e jetoi bukur jetën e saj dhe me dinjit”, shtoi Rexho.

Vanesa Guri – Aktore
Myzafer Zifla – Aktor
Klea Konomi – Aktore
Ketjona Pecnikaj – Aktore
Armela Demaj – Regjisore

Kategori
Rudina
0 Komente

Përgjigju

*

*