Kur vjen puna tek Ilir Meta, Genc Ruli vlerëson se ai nuk do të jetë kurrë lider i një partie të madhe, një gjë të cilën sipas tij, e ka kuptuar edhe vetë Meta. Pikërisht prej kësaj, Ruli thotë se Meta arriti që me intutitë politike, të gjente vendin e tij duke krijuar një parti votëthithëse, nga më efiçentet.

Po Ilir Meta?

Ilir Meta ka luajtur në të tjera përmasa.

E keni njohur edhe atë, e keni pasur student?

Ilirin nuk e kam pasur student, nuk jepja tek Ekonomia Politike, ndoshta i kam zëvendësuar disa herë, pak njohje kam pasur. E kam njohur prapa, gjatë Lëvizjes Studentore dhe për më tepër këta ishin tek FRESH-i. Këtë dhe Pandin, si të thuash, tek pjesa socialiste rrija më mirë me këta të rinjtë, ndihesha më komod me ta, etj. Ilir Meta, në fakt, ose ngaqë nuk i është dhënë mundësia, ose ngaqë e ka kuptuar, që asnjëherë nuk do të ketë një nga partitë e mëdha dhe nuk mund të jetë lideri i një partie të madhe.

Përse nuk mund të jetë?

Ndoshta nuk iu është dhënë rasti deri më sot, ose ndoshta nuk do të arrijë dot kurrë të jetë. Unë nuk di ta shpjegoj këtë, por di që nuk ka për të qenë, i një partie të madhe. Për këtë arsye, prapë tregoi një intuitë politike që të gjente vendin e tij, në këtë fushë shahu që dominohej nga këta dy kuaj të mëdhenj. Dhe mendoj krijoi një organizëm politik, i bazuar më së tepërmi tek thirrjet klienteliste dhe klaniste, ku njerëzve u premtonte jo formula të përgjithshme që i premtohen elektoratit, por formula personale të plotësimit të dëshirave. Ama krijoi një makinë votëthithëse, ndoshta nga më efiçentet në momente të caktuara kohe. Këtë pushtet të krijuar nga një parti e vogël në raport me të mëdhatë, në një kohë që të mëdhatë djerreshin me elektoratin e tyre, ose lodheshin në luftën e tyre, e ka shfrytëzuar me art për të marrë një pushtet mbi proporcional, jo proporcional me partinë që ka. /tvklan.al