Vetëm pak orë pasi mori detyrën e re si ministër i Mbrojtjes, Partia Demokratike ka kallëzuar në SPAK, Pirro Vengun, me argumentin se i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 12 milionë Eurosh.

Në shkresën drejtuar kreut të këtij institucioni Altin Dumani, demokratët i kërkojnë SPAK-ut që të nisë hetimet për ish-drejtorin e Autoritetit Portual Durrës, pasi në Korrik të këtij viti ka nënshkruar një kontratë konsulence me kompaninë hollandeze “Royal Haskoning DHV” për mbikëqyrjen e punimeve për ndërtimin e portit të ri të integruar të Durrësit në Porto-Romano pa iu nënshtruar procedurave të prokurimit publik.

Sipas shkresës që mban firmën e kreut të grupit parlamentar të demokratëve, ish-drejtori i Autoritetit Portual Durrës, Pirro Vengu ka konsumuar veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, të parashikuara në Kodit Penal.

Tv Klan