Rusia po përgatitet për sulme bërthamore. Kështu shkruan Financial Times ku në bazë të disa dokumenteve sekrete të ushtrisë ruse bëhet fjalë se Rusia mund të godasë disa objektiva me raketa bërthamore, menjëherë pas nisjes së një lufte të mundshme mes NATO-s dhe Rusisë.

Nga seria prej 29 dosjesh sekrete të para nga gazetarët e Financial Times konstatohet se Moska ka stërvitur flotën ushtarake detare për sulme të tilla nga ujërat e veriut të Europës, shumë kohë para nisjes së luftës në Ukrainë, që nga viti 2008 deri në 2014-ën.

Në shenjestër janë 32 objektiva ushtarake në Gjermani, Francë, Britaninë e Madhe, Norvegji e më tej në vendet e NATO-s në lindje të konfinentit si Estoni, Rumani, Bullgari e madje edhe në Turqi.

Ushtria ruse parashikon që në këto sulme të përdorë raketa bërthamore si për kryerjen e sulmeve të vogla por edhe  me efekte më shkatërrimtare si ato të Hiroshimës e Nagasakit të kryera nga amerikanët në 1945-ën.

Prestigjozja britanike shkruan se flota ruse që patrullon në ujërat veriorë mban në gatishmëri raketat bërthamore dhe mund të lëvizë me shpejtësi brenda rrezes që përfshin objektivat ushtarake të vendeve europiane.

Klan News