Bjellorusia po zhvillon stërvitje në kufi me Ukrainën duke ngjallur frikën se mund të përfshihet më shumë në agresionin rus               

Forcat ruse po vazhdojnë me sulme ajrore dhe tokësore në disa vendbanime në Ukrainën lindore, një ditë pasi presidenti rus Vladimir Putin bëri thirrje se kërcënimi bërthamor vijon dhe rritet.

Pranë qytetit të Lysychansk, Rusia vendosi më shumë trupa në përpjekje për të kapur fshatin Bilohorivka. Në Bakhmut dhe pjesë të tjera të rajonit Donetsk vranë nëntë civilë. Forcat ukrainase u kundërpërgjigjën me breshëri me raketahedhëse.

Luftimet janë duke u zhvilluar përgjatë gjithë vijës së demarkacionit në Donetsk, me qytetin e vijës së parë Avdiivka. Një ditë më parë  Putin e bëri të qartë se zgjerimi i kufijve të Rusisë ishte një qëllim kryesor i luftës, në ndryshim nga qëllimet e deklaruara në fillimin e pushtimit. Kremlini ka deklaruar se Krimeja mund të kërcënohet nga sulmet me dron të Ukrainës, por një gjë e tillë është mohuar nga pala tjetër.

Ambasadorja e SHBA-së në OKB, Linda Thomas-Greenfield, i ka bërë thirrje Rusisë të përgjigjet për mizoritë e kryera nga forcat e saj në Ukrainë. Deklarata e Greenfield vjen pas një raporti që zbuloi se të paktën 441 civilë u vranë nga forcat ruse gjatë javëve të para pasi Presidenti Vladimir Putin urdhëroi trupat e tij të pushtonin Ukrainën.

Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë shkëmbyer yllin e burgosur të basketbollit amerikan Brittney Griner me tregtarin famëkeq të armëve Viktor Bout, i mbajtur në një burg amerikan për 12 vjet. Shkëmbimi u miratua nga Presidenti Joe Biden ditët e fundit sipas medias amerikane CBS.

Griner u arrestua në një aeroport të Moskës në shkurt për posedim të vajit të kanabisit dhe muajin e kaluar u dërgua në një koloni penale.

Autoritetet ukrainase kanë paralajmëruar për ndërprerje të gjata të energjisë në disa rajone pas sulmeve. Sulmet me raketa në termocentralet dhe rrjetin e tensionit të lartë ka bërë që sistemi ka mungesë të konsiderueshme të energjisë elektrike.

Qindra milje larg, përtej kufirit verior të Ukrainës, ushtarët rusë po kryejnë stërvitje. Këto aktivitete në Bjellorusi në javët e fundit ka ringjallur frikën se Moska po i bën presion aleatit të saj që të përfshihet më shumë në luftën e Ukrainës. Presidenti Alexander Lukashenko ka lejuar që vendi i tij të shërbejë si një terren për pushtimin e Ukrainës.

Klan News