9.506 punonjës e të vetëpunësuar dhe mbi 5 600 biznese kanë përfituar sot pagën e luftës të ofruar si mbështetje të drejtpërdrejtë nga qeveria.

Shifrat i ka bërë të ditura kreu i qeverisë Edi Rama përmes një postimi në rrjetet sociale.

Rama thotë gjithashtu se mbi 36 400 biznese që kanë xhiro nga 0-14 milionë Lekë në vit, kanë dorëzuar aplikimet pranë drejtorisë së përgjithshme të tatimeve për të përfituar këtë rrogë. Në këtë sektor sipas kreut të qeverisë punojnë mbi 61 mijë persona, të punësuar dhe të vetëpunësuar.

Kreu i ekzekutivit shprehet se po vlerësohen mundësitë për të adresuar në paketën e zgjeruar ekonomike edhe shqetësimin e të gjithë të punësuarve që nuk munden të punojnë për shkak të luftës ndaj armikut të padukshëm.

“Çdo vend pune është jetik për ata që e kanë dhe për familjen tonë të madhe. Ndaj së bashku me çdo kompani e punëdhënës, por edhe në reflektim të solidaritetit e përgjegjshmërisë së tyre sociale, ne do të bëjmë çmos ta mbajmë aktive këtë armatë punonjësish, që nesër do të jenë në vijën e parë të betejës për shërimin e ekonomisë sonë të plagosur nga lufta”, thotë Rama. /tvklan.al