Samiti i “Open Balkan” në Tiranë është i fundit për Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

“Është nder dhe kënaqësi që jemi bashkë sot. Në çdo takim që kemi na bie që të flasim për gjëra të reja dhe të diskutojmë për gjëra të reja. Nuk është e lehtë në BE por nuk është e lehtë as në Ballkan, megjithatë kemi hapa ta dukshëm për të treguar. Kjo do të jetë edhe pjesëmarrja ime e fundit e drejtpërdrejtë në këtë mision të rëndësishëm që ne kemi filluar dhe po e vemë në zbatim me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe Kryeministrin Edi Rama”, tha Zaev.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut tha se “Open Balkan” është proces autentik i përbashkët mes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë. Megjithatë ai u shpreh se mbetet i hapur për të gjitha vendet e tjera të rajonit. Zaev bëri thirrje që të zhvillohet kjo nismë pasi është instrumenti si mund të lemë pas të shkuarën.

“Ballkani jo vetëm që na ka sjellë së bashku si tre udhëheqës së vendeve tona, por personalisht për mua ka patur një vlerë të shtuar, kjo është një miqësi e madhe që kemi mundur që të krijojmë të tre bashkë miqtë e mi dhe dua t’u përçoj një mesazh të gjithë atyre që janë këtu sot. Ruani dhe zhvilloni këtë iniciativë, “Ballkanin e Hapur” sepse është në të mirën e qytetarëve tanë. Kemi patur përçarje, zënka dhe mosbesim në të shkuarën, por Ballkani i hapur është mënyra për të ecur përpara. Është rruga e duhur në integrimin europian. Është instrumenti se si mund ta lemë të shkuarën të trazuar në të shkuarën dhe do të na çojë drejt një të ardhme të përbashkët dhe të bashkuar në BE. Me këto marrëveshje do të kemi suksese të mëtejshme.

Më lejonit të përmend që me mua kemi kryeministrin e ardhshëm Kovaçeskin dhe zv/kryeministrat që janë tërësisht mbështetës të kësaj iniciative. E përmendëm që do të sjellë vetëm të mira për qytetarët tanë dhe të njëjtën gjë mendon edhe kryeministri i ardhshëm Kovaçevski. Unë besoj fort që kjo iniciativë do të vijojë me suksese të mëtejshme”, tha Zaev./tvklan.al