Bosnje e Hercegovina përbëhet nga entitetet dhe e tillë do të mbetet, sepse ato janë pjesë e integritetit territorial, të përshkruar me Marrëveshjen e Dejtonit, tha përfaqësuesi i lartë ndërkombëtar në Bosnje, Christian Schmidt.

Schmidt, i cili ka marrë detyrën në muajin gusht, iu drejtua të enjten për herë të parë Dhomës së Përfaqësuesve të Parlamentit të Bosnjës.

Ai tha se është e qartë se “askush nuk ka interes ta kthejë kohën pas” dhe se “komuniteti ndërkombëtar nuk do të qëndrojë anash”.

Komentet vijnë pasi Republika Sërpska e Bosnjës – entitet i banuar me shumicë serbe – ka kërcënuar me ndarje.

Ky entitet, mes tjerash, ka sfiduar Kushtetutën e Bosnjës me miratimin e një ligji për produktet dhe pajisjet mjekësore.

Përfaqësuesit e tij kanë thënë po ashtu se serbët e Bosnjës do të tërhiqen nga ushtria e përbashkët e vendit./REL