BSH: Aktivet e këtij sektori rritje me bazë vjetore deri në 117 mld Lekë

Totali i qarkullimit monetar në fund të Qershorit arriti vlerën e 1.645 trilionë Lekëve, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë. Aktivet e sektorit bankar u shtuan me 42 miliardë Lekë gjatë tremujorit të dytë, ndërsa me bazë vjetore rritja arriti në 117 miliardë Lekë.

Edhe gjatë tremujorit të dytë të vitit, rritja e sektorit bankar është mbështetur kryesisht të veprimet me letrat me vlerë, por edhe huadhënia ka shënuar një rritje më të lartë krahasuar me tremujorin e mëparshëm.

Sipas Bankës së Shqipërisë, portofoli i letrave me vlerë në fund të Qershorit arriti në 523 miliardë Lekë, në rritje me rreth 25 miliardë Lekë gjatë tremujorit të dytë.

Pandemia solli rritje të defiçitit buxhetor dhe të huamarrjes publike, por sipas ekspertëve, bankat e shfrytëzuan mundësinë për të investuar në letrat e borxhit të qeverisë, si në lekë, ashtu edhe në euro, përfshi këtu eurobondin.

Kjo tendencë ka vijuar edhe në gjysmën e parë të 2021, ku sektori i është përgjigjur një kërkese pak më të lartë për huamarrje të brendshme të qeverisë shqiptare krahasuar me dy tremujorët e mëparshëm.

Për shkak të normave shumë të ulëta të interesit për vendosjet dhe depozitat në Euro, bankat po investojnë më shumë në tituj, me qëllim përmirësimin e kthimit nga fondet në valutë. Në mesin e këtij viti, sektori bankar kishte rreth 824 miliardë Lekë pasive në valutë.

Pjesa më e madhe e tyre mbeten të investuara në Shqipëri, kryesisht në kredi dhe detyrime qeveritare, megjithatë në tremujorin e parë të 2021 u shënua një rritje e ndjeshme e aktiveve jorezidente, me rreth 17 miliardë Lekë më shumë krahasuar me tremujorin e mëparshëm dhe afërsisht 30 miliardë Lekë më shumë krahasuar me 2020.

Klan News