8 të prangosur në Tiranë

150 mijë bileta autobusi të falsifikuara dhe 8 të arrestuar është rezultati i një operacioni policor në Tiranë. Burime zyrtare sqarojnë se finalizimi i këtij operacioni erdhi pas një hetimi një mujor me metoda speciale, për goditjen e evazionit fiskal dhe informalitetit.

Të arrestuarit janë “F. I., 60 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë administrator dhe ortak i një shoqërie transporti; F. V., 60 vjeç, banues  në Tiranë, me detyrë administrator dhe ortak i një shoqërie transporti; A. V., 51 vjeçe, banuese në Tiranë, me funksion administratore dhe ortake e një shoqërie transporti; E. V., 33 vjeçe, banuese në Tiranë, me detyrë administratore e një shoqërie transporti; L. A., 47 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë dispeçer i një linje autobusësh; A. D., 39 vjeç, banues në Tiranë, me detyre dispeçer i një linje autobusësh; K. Q, 42 vjeçe, banuese në Tiranë, me detyrë ekonomiste në një shoqëri autobusësh; A. I., 20 vjeç, banues në Tiranë, të cilit iu gjetën të fshehura provat materiale, në tentativë për t’i asgjësuar”.

Arrestimi i tyre u bë pasi dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë falsifikuar bileta të transportit urban, në kohë dhe periudha të ndryshme, me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore dhe përfitim financiar të disa shoqërive operatore në transportin urban në qarkun Tiranë.

“Këta shtetas përdornin bileta urbani të falsifikuara dhe jo të prodhuara në Shtypshkronjën e Letrave me Vlerë, të cilat i kishin hedhur në qarkullim duke përfituar shuma të konsiderueshme monetare. Nëpërmjet këtyre veprimeve i kanë shkaktuar shtetit një dëm të madh ekonomik, i cili do të përllogaritet në vazhdimësi nga strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve”, sqaron policia në njoftimin e saj për mediat.

Gjatë kryerjes së veprimeve procedurale janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale 150 000 bileta urbani të falsifikuara, vënia në përdorim e të cilave kap vlerën 6 000 000 lekë të reja.

Autoritetet sekuestruan gjithashtu një automjet “Masserati”, 4 aparate celulare, në posedim nga personat nën hetim, kartela të ndryshme financiare të plotësuara me shkrim dore, 5 libra arkash, 62 blloqe mandatesh arkëtimi, 350 kopje mandatesh arkëtimi, si dhe dokumente të tjera me shënime të ndryshme. 

Hetimet vijojnë ende për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale./tvklan.al