SHBA refuzon kërkesën e Rusisë për Ukrainën




SHBA refuzon kërkesën e Rusisë për Ukrainën

23:49 26/01/2022

Moska kishte kërkuar që Ukraina të mos anëtarësohet në NATO

Shtetet e Bashkuara nuk kanë bërë asnjë lëshim ndaj kërkesave kryesore ruse mbi Ukrainën dhe NATO-n. Washingtoni i dërgoi një përgjigje me shkrim Moskës këtë të mërkurë, ku refuzoi të pranojë kërkesën e Rusisë që NATO-ja të mos pranojë kurrë Ukrainën si pjesë të sajë. Gjithashtu shtetet e Bashkuara të Amerikës refuzuan edhe kërkesën tjetër të Moskës që NATO të tërheq trupat nga vendet e tjera të ish-bllokut sovjetik.

Sekretari Blinken u tha gazetarëve se përgjigja që ju dha Moskës përcakton një rrugë serioze diplomatike përpara dhe nëse Rusia e zgjedh atë, ka një vlerësim parimor dhe pragmatik të shqetësimeve të ngritura.

Ambasadori amerikan në Moskë, John Sullivan, ia dorëzoi përgjigjen zëvendësministrit të Jashtëm të Rusisë, Alexander Grushko.

Nga ana tjetër Rusia ka paralajmëruar se do të marrë shpejt “masa hakmarrëse” nëse SHBA dhe aleatët e saj refuzojnë kërkesat e saj.

Si pjesë e stërvitjeve, njësitë e motorizuara të këmbësorisë dhe artilerisë në Rusinë jugperëndimore praktikuan gjuajtjen me municione reale, ndërsa avionë luftarakë rusë dhe parashutistë mbërritën në Bjellorusi për stërvitjet e përbashkëta që do të zhvillohen në Shkurt.

Ndërkohë që tensionet vijojnë të rriten, Shtetet e bashkuara të Amerikës i kanë kërkuar gjithë qytetarëve amerikanë që të largohen nga Ukraina. Ambasada Amerikane në Kiev u bëri thirrje atyre të konsiderojnë një nisje sa më të shpejt pasi situata është e paparashikueshme.

Tv Klan













Të ngjashme