Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka njoftuar sanksione të reja kundër kanalit mediatik rus RT, duke e akuzuar atë si një mbështejte e inteligjencës ruse, raporton BBC News.

Blinken u tha gazetarëve të premten se RT është pjesë e një rrjeti mediash të mbështetura nga Rusia, të cilat kanë kërkuar në fshehtësi të “minojnë demokracinë në Shtetet e Bashkuara”. Ai shtoi se qeveria ruse ka “ngulitur brenda RT, një njësi me aftësi operacionale kibernetike dhe lidhje me inteligjencën ruse”.

RT transmetoi drejtpërdrejt komentet e Z. Blinken në “X” duke i quajtur ato teoria e fundit konspirative e SHBA.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Maria Zakharova tha se duhet të ketë një “profesion të ri” në SHBA, specialist në sanksionet e vendosura ndaj Rusisë.

Duke iu përgjigjur akuzave të SHBA-së se RT kishte kërkuar të ndikonte në zgjedhje, kryeredaktorja e RT-së, Margarita Simonyan, e cila u sanksionua nga SHBA javën e kaluar, tha se ata ishin mësues të shkëlqyer, duke shtuar se shumë anëtarë të stafit të RT-së kishin studiuar në SHBA dhe me financim të SHBA-së.

Departamenti i Shtetit akuzoi transmetuesin shtetëror, dikur Russia Today, për përfshirje në “operacione informacioni, ndikim të fshehtë dhe prokurime ushtarake” në vendet në Evropë, Afrikë dhe Amerikën Veriore dhe Jugore.

Shtetet e Bashkuara kishin paditur tashmë dy punonjës të RT-së për gjoja përpjekje për të ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të këtij viti, por zyrtarët amerikanë thanë të premten se transmetuesi shtetëror luajti një rol më të madh në përpjekjet e Rusisë për të minuar demokracitë.

Ndërkohë njoftimi është pjesë e një sërë veprimesh që qeveria amerikane ka ndërmarrë kundër mediave shtetërore ruse ndërsa afrohen zgjedhjet e vitit 2024. Departamenti i Shtetit ka caktuar gjithashtu RT si një mision të huaj./tvklan.al