Shtetet e bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian kanë reaguar për vendimin e Parlamentit që nuk pranoi të dërgonte në Gjykatën Kushtetuese mandatin e Olta Xhaçkës.

Zyra e delegacionit te Bashkimit Evropian në Tiranë e cilësoi këtë si një hap jo në drejtimin e duhur duke theksuar se zbatimi i vendimeve të Gjykatës kushtetuese nga Parlamenti, është thelbësor pasi lidhet me kontrollet dhe balancat institucionale në sistemin demokratik të vendit.

“Ne kemi shprehur shqetësimet tona edhe në raportin e fundit mbi Sundimin e Ligjit në Shqipëri, lidhur me faktin që disa vendime të Gjykatës Kushtetuese nuk janë zbatuar nga Parlamenti, përfshirë edhe në lidhje me këtë çështje, ku vendimi i Gjykatës Kushtetuese daton më shumë se një vit e gjysmë më parë.
Na inkurajoi fakti që Kryetarja e Parlamentit, gjatë hapjes së sesionit parlamentar javën e kaluar, theksoi si prioritet nevojën që Kuvendi të ndjekë vendimet e mbetura të Gjykatës Kushtetuese. Ajo çka ndodhi dje nuk është një hap në drejtimin e duhur. Zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga Parlamenti është një çështje thelbësore pasi lidhet me kontrollet dhe balancat institucionale në sistemin demokratik të vendit.”

Pas këtij qëndrimi reagoi dhe Ambasada Amerikane në Tiranë.

“Ambasada e SHBA ndan shqetësimin e Delegacionit të Bashkimit Evropian për vendimin e djeshëm në parlamentin e Shqipërisë për të shpërfillur një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Siç vuri në dukje kryeparlamentari së fundmi, marrja e hapave të nevojshëm për vendimet e Gjykatës Kushtetuese është një përgjegjësi thelbësore e Parlamentit dhe është gjithashtu thelbësore për parimin e ndarjes së pushteteve. Qeveria dhe institucionet duhet t’u përmbahen rregulloreve, ligjeve, vendimeve gjyqësore dhe kushtetutës, të gjitha këto janë vendosur për të siguruar që një sistem demokratik të jetë i shëndetshëm dhe i lulëzuar.”

65 deputetë të mazhorancës abstenuan, 9 votuan kundër, ndërsa pro dërgimit të mandatit të deputetes Xhaçka në Kushtetuese votuan 25 deputetë të opozitës.

Klan News