Drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës amerikane (CIA), William Burns, ka mbërritur në Sarajevë të martën për të diskutuar, ndër të tjera, edhe për retorikën secesioniste dhe veprimet e Millorad Dodikut, presidentit të entitetit serb të Bosnjë e Hercegovinës, Republika Sërpska, tha një zyrtar i Qeverisë amerikane për Radion Evropa e Lirë.

“Janë mbajtur takime me kolegë nga komuniteti i inteligjencës, anëtarë të Presidencës dhe ministrin e Punëve të Jashtme. Ata diskutuan për çështje me interes të përbashkët, të cilat përfshijnë integritetin territorial dhe sovranitetin e Bosnje e Hercegovinës”, tha qeveria amerikane për vizitën e shefit të CIA-s.

Burns u takua me drejtorin e Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Bosnje e Hercegovinës, Almir Xhuvo.

Xhuvo tha për REL-in se “bëhet fjalë për një vizitë për të cilën është rënë dakord më herët”, dhe se Burns ka shprehur mbështetjen e tij “për bashkëpunimin e agjencive, por edhe me shtetin e Bosnje e Hercegovinës (BeH)”.

Dodik e ka ngritur shpesh mundësinë e ndarjes së Republikës Sërpska nga Bosnje e Hercegovina dhe ka hasur në kundërshtim të ashpër nga SHBA-ja.

Me Marrëveshjen e Dejtonit të vitit 1995, që i ka dhënë fund luftës në Bosnje e Hercegovinë, ky vend është ndarë në dy entitete autonome – Federata e Bosnje e Hercegovinës dhe Republika Sërpska – plus Qarku i Bërçkos, që është njësi administrative vetëqeverisëse. Të gjithë bashkë janë nën ombrellën e qeverisë federale dhe presidencës me rotacion.

Shefi i diplomacisë së Bosnje e Hercegovinës, Elmedin Konakoviq tha për REL-in se vizita e “njërit prej njerëzve kyç të administratës amerikane tregon përkushtimin e SHBA-së, si dhe se BeH është në krye të prioriteteve të politikës së jashtme të SHBA-së, gjë që është shumë e rëndësishme për BeH”.

“Në takim morëm edhe një herë konfirmimin e mbështetjes së plotë për integritetin territorial dhe sovranitetin e BeH dhe dënimin e mesazheve dhe lëvizjeve separatiste”, tha ai.

Ai tha se nuk mund të komentojë gjithçka që u diskutua, por shtoi se “është dërguar një mesazh universal. Mesazhet e administratës amerikane janë shumë të qarta dhe vetë ardhja e tij, mbi të gjitha, simbolizon dhe dëshmon se partneri ynë i politikës së jashtme është ende i përkushtuar për Bosnje e Hercegovinën”.

Një ish-diplomat dhe ish-ambasador në Rusi, Burns është një figurë qendrore në administratën e presidentit amerikan, Joe Biden, pasi ai është gjithashtu anëtar i kabinetit presidencial të Shtëpisë së Bardhë.

Presidenti Biden e emëroi atë në pozicionin e drejtorit të CIA-s në janar 2021.

Burns u betua si drejtor i CIA-s në mars 2021, duke u bërë diplomati i parë në karrierë që shërbeu si drejtor. Presidenti Biden e promovoi atë në kabinet në qershor 2023.

Ai ka shërbyer gjashtë presidentë dhe administrata (të të dyja palëve) gjatë gati katër dekadave të shërbimit publik në diplomaci dhe inteligjencë. Ai është vetëm diplomati i dytë në histori që u bë zëvendëssekretar i Shtetit. Ai ishte gjithashtu ambasador i SHBA në Rusi dhe në Jordani.

Pasi u tërhoq nga shërbimi diplomatik në fund të vitit 2014, Burns shërbeu si president i Carnegie Endowment for International Peace.

Ai ka diplomuar për histori nga Universitetin LaSalle, dhe ka master dhe doktoraturë për marrëdhënie ndërkombëtare nga Universiteti i Oksfordit.

Ish-drejtori i CIA-s, John Brennan, ishte i fundit nga kjo agjenci që e vizitoi Sarajevën, pas vizitës së tij më 2016./REL