Të thuash se Damir Fazlliç nuk u ndalua dot nga prokurorët që vetëm pas ikjes së tij deklaruan se kanë hapur një çështje penale ndaj tij është sa qesharake, po aq dhe e rëndë për një institucion të rëndësishëm, siç është prokuroria e përgjithshme.

Të justifikosh këtë deklaratë se prokurorët u ndaluan nga policë dhe gazetarë me pretendimin se Damir Fazlliç ka ndërruar makinat duke e bërë atë të pakapshëm është po aq e turpshme dhe qesharake për një shtet dhe zyrtarët që vënë drejtësi.

Damir Fazlliç ka hyrë në Rinas nga porta që hyn çdo shtetas shqiptar dhe i huaj, ka kaluar në korridorin e policisë së Rinasit në këmbë dhe në sytë e shumë informatorëve të shërbimit sekret.

Ka mbërritur në Klan i shoqëruar nga dhjetëra kamera televizive dhe aspak në mënyrë të fshehtë, por përkundrazi me më shumë publik seç duhet.

Damir Fazlliç ka dhënë intervistën e tij në studion e Opinion duke u komentuar live prania e tij në televizionin “Ora News”. Veç kësaj në ambientet e TV Klan kanë patur kohë të mbërrijnë mbi dhjetëra kamera dhe gazetarë.

Nëse Ina Rama vërtet do të kishte qenë e interesuar për ta thirrur njeriun kaq të kërkuar nga mediat në prokurori, mund t’i kishte dërguar prokurorët në dyert e televizionit tonë.

Pas intervistës dhënë gazetarit Blendi Fevziu Fazlliç mori rrugën për në aeroportin Nënë Tereza. Hyri në aeroport andej nga kalon çdo qytetar dhe prokurorët nuk kanë shfaqur asnjë deklaratë publike për ta thirrur.

Deklaratat e turpshme u bënë nga prokurorët pasi Fazlliç la tokën shqiptare për të mbërritur në një aktivitet të Crans Montanës, në një prej forumeve më të rëndësishme ekonomike botërore në prani dhe të disa kryeministrave të Ballkanit apo biznesmenëve më të mëdhenj të botës, siç shihet edhe nga këto pamje filmike.

G99 apo partitë të tjera të majta që hodhën baltë mbi figurën e Fazlliç duke thënë se ai u arrestua le të nxjerrin fakte për këtë, le të publikojnë në deklaratat e tyre jo të pakta mediatike fletëarrestin që thonë se është lëshuar ndaj Fazlliç ose përndryshe le të pranojnë se nuk e njohin realitetin e t’i kërkojnë falje Damir Fazlliçit për akuzat e lëshuara ndaj tij, akuza që ndonëse qartazi të dukshme se janë të montuara politikisht për çudi nuk merren seriozisht nga organi i akuzës.

Po bëhen disa raste që prokuroria e drejtuar nga Ina Rama po tregohet jo vetëm e paaftë, por edhe qesharake si dhe prokurori politike që përdoret nga prejardhja e saj komuniste.

Ndërsa prokuroria hap çështje kryesisht të nisur nga shkrimet e disa mediave për rastin e biznesmenit Fazlliç duke mos saktësuar shkeljet që sipas prokurorisë paska kryer ai, organi i akuzës për çudi injoron deklaratat publike të Ministres së Shëndetësisë, Anila Godo, e cila mese një herë ka denoncuar abuzimet e kryera me 26 milion euro nga taksat e qytetarëve shqiptarë në tenderët për ilaçet.

Anila Godo: “Korrupsioni i vërtet është ai që ka të bëjë me lëvizjet nën ujë, me tenderimet, me prokurimet dhe është ai korrupsion që po i bën shumë dëm shëndetësisë dhe që unë do të vihem shumë fort me stafin tim të gjejmë fijet e padukshme dhe ta luftojmë.”

Pas kësaj situate të tejzgjatur, të paqartë në prokurori është koha tashmë që prokurorja e përgjithshme të mos heshtë për këtë skandal, por t’iu japë përgjigje akuzave të kreut të shëndetësisë, si dhe drejtuesve të spitaleve apo dhe qytetarëve të thjeshtë në të gjithë vendin.

Prokurorja e përgjithshme duhet të dalë publikisht dhe të denoncojë ato që organi i akuzës i quan shkelje në aktivitetin e një shtetasi të huaj që hap aktivitet biznesi në Shqipëri, por edhe t’u thotë shqiptarëve se çfarë po bëhet me denoncimin për tenderët e ilaçeve, abuzim që për vite me radhë ka çuar degradimin e shërbimit shëndetësor në të gjithë vendin./tvklan.al

*Shënim nga Aleksandër Frangaj

Gazetar: Erion Todhe