Policia ka parandaluar përshkallëzimin e një sherri mes disa personave në Fier. Policia thotë se ka vënë një 25-vjeçar që ka qëlluar me kallashnikov për të kërcënuar njërin nga personat e përfshirë në konflikt.

“Pas marrjes së njoftimit se në fshatin Levan, Fier, disa shtetas po konfliktoheshin me njëri-tjetrin, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier dhe të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Fier, kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes ku si rezultat i ndërhyrjes së shpejtë kanë bërë të mundur kapjen në flagrancë dhe arrestimin e shtetasit A. M., 25 vjeç, banues në Levan.  Ky shtetas është konfliktuar fizikisht, për motive të dobëta, me shtetasin P. O., 35 vjeç dhe me disa shtetas të tjerë. Më pas, 25-vjeçari ka marrë në banesën e tij, një armë zjarri kallashnikov me të cilën ka qëlluar për të kanosur 35-vjeçarin”, njoftoi policia.

Autoritetet kanë bërë të mundur sekuestrimin armës së zjarrit dhe po vijojnë hetimet për ngjarjen./tvklan.al