Të ftuar:

Elinara Shehu – artiste

Genta Qendro – avokate

Gazetare: Ermelinda Ndoja

#ShijeShtëpie në #TvKlan. Emision edukues, informues & argëtues me znj. Vjollca dhe Katerina Trungu. Çdo ditë me recetat e thjeshta dhe mbi të gjitha ekonomike te znj. Vjollca duke edukuar amvisat si të ushqehemi shëndetshëm. Rubrika të ndryshme me të ftuar specialë me këshilla të thjeshta praktike, të kuptueshme nga të gjithë, për çdo aspekt të të përditshmes. Argëtim, me muzikë dhe quiz, lojëra gjithëpërfshirëse që të japin atë dëshirën për të luajtur dhe për të komunikuar live me Katerinën dhe të ftuarit e saj.

2 receta nga Znj.Vjollca

Eskallop viçi me limon dhe pure patate

Fileto viçi të holla ( 6 – 8  copë)

1 lugë gjellë gjalpë

2 lugë gjelle vaj ulliri

1 lugë kafe piper të kuq

Pak trumzë

Kripë + piper të zi

40 ml lëng limoni ( ½ limon)

4 feta limon

60 ml lëng mishi

Majdanoz i grirë hollë

Për purenë e patates

600 gr patate

20 gr gjalpë

50 ml qumësht

50 gr parmixhano

2 lugë gjellë majdanoz

Kripë + piper të zi

Qërojmë patatet i presim në 4 dhe i vendosin për t’u zier. Pastrojmë fetët e mishit nga lëkura e më pas e shtypim atë me çekiç.

Marinojmë mishin me pak kripë dhe piper të zi. Përziejmë miellin me piper të kuq dhe pak trumzë. Pudrosim mishin me miell.

Shkrijmë gjalpin + vajin në tigan dhe vendosim filetot e mishit për t’u skuqur. Kur mishi fillon të ndryshojë ngjyrën, e kthejmë, e lëmë 3-4 min nga secila anë e më pas i largojmë nga tiganin. Shuajmë yndyrën me miell fillimisht me lëng limoni më pas me lëng mishi. I vendosim përsëri në tigan fetat e mishit. I japim një valë duke trashur salcën e limonit.

Kullojmë patatet, i kthejmë ato në pure dhe e vendosim purenë në një tas ku shtojmë gjalpin, parmixhano, qumështi + kripë + piper të zi, majdanoz. I përziejmë mirë dhe shërbejmë purenë e patates duke vendosur 1 ose 2 feta eskallop me salcë limoni.

Sallatë me panxhar, rukola dhe arra

1 panxhar

60 gr rukola

100 gr djathë gorgonzola

40 gr arra

Marinimi:

2 lugë gjelle açeto balsamike

3 lugë gjelle vaj ulliri

1 lugë çaji mjaltë

Pastrojmë panxharin (e lajmë) dhe e vendosim në një tenxhere të mbuluar me ujë. E ziejmë për 30 min. E kullojmë, e qërojmë dhe e presim në feta të holla.

Vendosim në një tas fillimisht rukolën mbi fetat e panxharit. Shtojmë djathin gorgonzola të copëtuar e më pas arrat.

Në një tas përziejmë mirë açeto e vaj + pak mjaltë dhe pasi të jetë bërë një masë e vetme kremoze, marinojmë sallatën dhe e shërbejmë.

Gazetari që braktisi profesionin për të hapur një fermë gomaricash

Ta nisësh nga e para në një profesion të dytë

“Më mirë punoj në kooperativë”, avokatja kujton si iu thye zemra: Nuk ishte faji im pse isha fëmijë intelektualësh

Genta Qendro, avokatja e cila është shpesh pranë emisionit “Shije Shtëpie” në Tv Klan lidhur me temat ligjore, këtë herë vjen në një intervistë më personale. Sot ajo njihet si avokate, por në të vërtetë ky është profesioni i saj i dytë sepse për shumë vite ka ushtruar atë të farmacistes.

Sistemi i atëhershëm diktonte që studentët me nota të shkëlqyera mund të zgjidhnin tre degë, por Farmcia nuk renditej aspak në preferencat e Genta Qendros. Ishte sërish sistemi ai që kishte urdhëruar se fëmijët e intelektualëve, ku bënte pjesë edhe Genta, nuk do të shkonin në degët elitare dhe po ky sistem vendoste edhe se në cilët sektorë nevojiteshin specialistë.

Për Farmacinë, Genta nuk kishte asnjë informacion, mendonte se ishte një kurs dyvjeçar ndërsa ajo ëndërronte të kryente universitetin.

Genta Qendro: Në degët që unë kam dashur dhe kam zgjedhur në atë periudhë, jo Farmaci, ka qenë Mjekësia e Përgjithshme, ka qenë Ekonomiku dhe Juridikun. Domethënë hynin në degët elitare në atë kohë. Për fat të mirë a për fat të keq, mund ta marrim si të duam tani ta komentojmë, mua m’u dha Farmacia sepse atje kishte nevojë atdheu për mua.

Ermelinda Ndoja: Të thërriste detyra, duhet t’i shërbeje vendit.

Katerina Trungu: Edhe pse ti kishe të drejtë të zgjidhje mes tre degëve, prapë nuk t’u mundësua.

Genta Qendro: Nuk m’u dha ajo që kisha zgjedhur sepse bëhej fjalë për fillimet, për tronditjet e para që pësoi sistemi në atë kohë dhe kishin filluar eksodet e anijeve në Korrik të ’90-ës dhe ishte një urdhër nga lart që fëmijët e intelektualëve nuk duhet të merrnin degët e mira përpos rezultateve dhe meritave që ata kishin. Nuk ishte faji im pse isha fëmijë intelektualësh, që të dy prindërit e mi nuk ishin punëtorë dhe nuk m’u dha atje ku doja, m’u dha Farmacia.

Katerina Trungu: Si u ndjeve në atë moment, e mban mend përjetimin?

Genta Qendro: Po, e mbaj mend dhe po të më shikosh jam e përlotur sepse e kam ndierë shumë. Kam qenë në Gjirokastër tek gjyshja dhe ime më merr në telefon me ato lajmthirrjet që bëheshin dikur në postë dhe më thotë “Genta, të ka dalë për Farmaci”. “Ma, unë në kurs dyvjeçar nuk shkoj, nuk kam luftuar gjithë këto vite shkollë të  kap maksimalet për të shkuar në kurs”. “Jo”, më thotë, “është fakultet, është shkollë e lartë, është degë e Mjekësisë, do të shikojmë se mund ta ndërrosh”.  “Jo”, i thashë, “më dërgo rrobat e dimrit, më mirë punoj në kooperativë se sa të shkoj të bëj një shkollë të tillë”.

Kur mund të fillojmë një profesion të dytë?

“E kam lënë karrierën për mamin”, artistja ndan pengun: Kur ne bëjmë plane, Zoti t’i sjell gjërat…

Për muzikën, dashurinë e parë dhe të përjetshme, Elinara Shehu ka shtypur butonin “ndalo” për momentin. Në profesion është stomatologe, një degë të cilën e zgjodhi për hir të dëshirës së prindërve, ndërsa kuptoi se për të ishte mëse e mërzitshme.

Sot, në “Shije Shtëpie” në Tv Klan, ajo  tregon se i është rikthyer rrënjës së saj të vërtetë, pikturon, ndërsa ka mbyllur studimet edhe për Art Design, për të cilin rrëfen të gjitha përjetimet. Për Elinarën nuk ka qenë problem koha, por sërish, në një tjetër moment kyç të jetës, ka vendosur të sakrifikojë sërish dëshirat e saj për njeriun më të shtrenjtë.

Ermelinda Ndoja: Po në fushën e Art Design, si e ke gjetur veten?

Elinara Shehu: Zbulova veten nga e para. Zbulova Elinarën që kishte humbur në moshën 7-vjeçare.  M’u rikujtuan si të thuash, gjërat që unë kam pasur dëshirë të bëja qëkur isha fëmijë dhe kjo, mbase them unë, nuk e di, por lidhet me faktin që unë shkova më në fund në një fakultet që unë e doja dhe jo dikush tjetër të më orientonte. Mbase ishte vonë do thoni ju, në moshë të madhe, por  jo, nuk është vonë për mua.

Katerina Trungu: Kjo është pika ku duam të ndalemi.

Elinara Shehu: Nuk ishte vonë sepse do kishte ngelur, do ishte një gjë që unë nuk do ta kisha prekur kurrë.

Ermelinda Ndoja: E kishe peng?

Elinara Shehu: E kam peng dhe madje desha të vazhdoja  dhe masterin, por fatkeqësisht kur ne bëjmë plane, Zoti t’i sjell gjërat…

Ermelinda Ndoja: Por je në kohë.

Elinara Shehu: Jo, e kam kohën pak të limituar sepse kam mamanë pak të sëmurë dhe më duhet të kujdesem për atë në një moment kritik.

Katerina Trungu: Kjo është arsyeja?

Elinara Shehu: Është arsyeja që kam hequr dorë domethënë për masterin, që do ta vazhdoj mbase më vonë, por ndërkohë punoj me pikturat, i alternojmë, si të thuash jam bërë prapë një gjysmë-shtëpiake me mamanë që do që t’i rri gjithë kohës aty dhe ajo e meriton dhe vërtet për mua është diçka që nuk… e kam lënë prapë karrierën për mamin tim, e meriton totalisht ajo grua që më ka dhënë vetëm dashuri dhe vetëm mund e sakrifica, nënat tona dihen se si.