Të ftuar:

Teuta Maçi – farmaciste

Jorida Memini – dermatologe

Gazetarja: Agida Koçi

#ShijeShtëpie në #TvKlan. Emision edukues, informues & argëtues me znj. Vjollca dhe Katerina Trungu. Çdo ditë me recetat e thjeshta dhe mbi të gjitha ekonomike te znj. Vjollca duke edukuar amvisat si të ushqehemi shëndetshëm. Rubrika të ndryshme me të ftuar specialë me këshilla të thjeshta praktike, të kuptueshme nga të gjithë, për çdo aspekt të të përditshmes. Argëtim, me muzikë dhe quiz, lojëra gjithëpërfshirëse që të japin atë dëshirën për të luajtur dhe për të komunikuar live me Katerinën dhe të ftuarit e saj.

2 receta nga Znj. Vjollca

Kunguj të mbushur me perime dhe djathë

4 kunguj të njomë
1 qepë
1 spec e gjysmë të kuq
2 karrota mesatare
Kripë dhe piper i zi
1 tufë majdanoz
4 lgj bukë të thekur të grirë
150 gr djathë kaçkavall
Vaj ulliri


Fillimisht pastrojmë kungujt dhe i presim në gjysma për së gjati. Largojmë tulin me ndihmën e një luge e më pas vendosim kungujt në një tepsi me letër pjekje. I spërkatim me vaj dhe i pjekim në temperaturë 200 gradë për 15-20 minuta. Në një tigan me 3-4 lugë gjelle vaj ulliri kaurdisim qepën në kubikë të vegjël. E përziejmë për 2 minuta e më pas shtojmë karrotat të grira në rende trashë e më pas shtojmë tulin e kungullit të grirë shumë imët. I skuqim të gjithë këto përbërës për 5 minuta. Rregullojmë shijen me kripë e piper të zi e më pas transferojmë përbërësit në një tas ku do të shtojmë majdanozin të grirë hollë dhe bukën e thekur të grirë. I përziejmë mirë duke shtuar në fund gjysmën e djathit të grirë. E përziejmë mirë e më pas fillojmë të mbushim kungujt gjysmë të pjekur. Pasi i mbushim mirë, i mbulojmë me djathë kaçkavall të grirë e më pas i pjekim në furrë në temperaturë 200 gradë për 20 minuta. I shërbejmë të ngrohta me sallatën që preferoni.

Tartë me shijen e një pice

Brumi
400 gr miell
100 ml qumësht
80 ml ujë të vakur
1 lgj maja të thatë
1 lgj sheqer
2 lgj vaj ulliri
Kripë

Mbushja:
150 gr pure domate
200 gr proshutë pule
150 gr djathë pice
8 kokrra ullinj të zi


Në një tas bashkojmë produktet e lëngshme. I përziejmë duke shtuar majanë, sheqerin. E përziejmë sa majaja të aktivizohet për 5 minuta e më pas shtojmë pak nga pak miellin, kripën dhe i përziejmë deri sa të na formohet një brumë i lidhur të cilin e vendosim në një tas të mbuluar dhe e lëmë deri sa brumi të dyfishohet rreth 1 orë deri në 1,5 orë. Më pas e punojmë përsëri pak brumin dhe e lëmë të pushojë për 10 minuta. Më pas hapim një petë të trashë rreth 0,5 cm të trashë. Në qendër të saj bëjmë 4 prerje deri në mes të petës, jo deri në fund. Këto prerje formojnë 8 pjesë në petë. Në fillim të petës lyejmë secilën pjesë me nga një lugë gjelle pure domate. Mbi pure vendosim proshutë të prerë në kubikë. Mbi proshutë shtojmë djathë pice të grirë. Cepat e prerë në qendër i bashkojmë me pjesën anësore duke e fiksuar me një kokërr ulli. Më pas vendosim tortën picë në tavë në temperaturë 220 gradë për 15 min.

“I kam prerë kallot me brisk”, telefonuesja: A kam bërë mirë?

Kallot, si t’i parandalojmë dhe trajtojmë ato

Heqja e kallove me sodë e kripë, pasta në kushte shtëpie

/tvklan.al