51 persona kanë përfunduar të pandehur në Gjykatën e Krimeve të Rënda si pjesë e një grupi që trafikonin qenie njerëzore drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kanadasë dhe Anglisë.

Prokurori Eugen Beçi ka dorëzuar dosjen në gjykatë, e cila mban 95 fashikuj, 450 CD me përgjime dhe materiale të tjera. Mbi të gjithë të pandehurit rëndon akuza e trafikut të qenieve njerëzore në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me dokumente të falsifikuara u premtonin qytetarëve kalimin në këto vende, kundrejt shumave që varionin nga 30 mijë dollarë për në SHBA dhe Kanada, deri në 10 mijë paund në Angli.

7 grupe kriminale u shkatërruan gjatë operacionin të zhvilluar në Shqipëri. Ndërsa gjatë gjithë hetimit u bashkëpunua ngushtë me autoritetet amerikane, si dhe një sërë policish europiane.

Më shumë se 500 shqiptarë dyshohet se janë trafikuar nga këto grupe që vepronin në disa vende të Europës, si dhe në SHBA e Kanada. Trafikantët përdornin disa rrugë.

Nisja bëhej nga Shqipëria dhe kalimi përmes Italisë ose Francës për të mbërritur në Britaninë e Madhe. Për të mbërritur në Kanada ndiqeshin dy linja, ajo përmes Bullgarisë, Belgjikës, Republikës Domenikane dhe SHBA-së dhe rruga tjetër përmes Spanjës, Amerikës Latine dhe SHBA-së.

Tv Klan