Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Mosrespektimi i rregullave dhe i ligjeve për trajnimin e personelit anti-minë, ka shkaktuar një tragjedi të vërtetë në qytetin e Kukësit. Dy persona kanë vdekur dhe të paktën 10 të tjerë janë plagosur, pesë nga të cilët në gjendje kritike për jetën.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:30 minuta të paradites së sotme. Viktimat janë kushërinjtë Sokol e Sulejman Xhaglia. Mjeku kuksian që ka shoqëruar të plagosurit nga Kukësi për në Spitalin Ushtarak tregon detajet e ngjarjes.

“Njëri nga ata ka bërë një gabim teknik aty dhe ka përplasur një minë brenda dhomës, ku kanë qenë 10 nga këta kursantët dhe pastaj ka ndodhur që të gjithë që kanë qenë në atë dhomë, të dhjetë janë të traumatizuar nga një plasje e minës brenda. Dy viktima për momentin, nuk di më tepër, pjesa tjetër është në ndërhyrje akoma, dmth. nuk mund të flasë përsa i përket si do të shkojë”.

Në Spitalin Ushtarak kanë mbërritur me helikopter 5 prej të plagosurve rëndë, ndërsa tre të tjerë po kurohen në qytetin e Kukësit. Specialistët e Ministrisë së Mbrojtjes pohojnë se kompania “Handicap International” dhe Komiteti Anti-minë i Kukësit, që ishin edhe organizatorët e mësimit trajnues, kanë thyer rregullat dhe ligjet. Sipas tyre, në asnjë mënyrë mësimi nuk duhej të bëhej me bomba të vërteta në një mjedis të mbyllur. Megjithatë burime nga Ministria e Rendit pohojnë se kanë nisur hetimi, për t’u zbuluar shkaqet e kësaj ngjarje./tvklan.al