Është nga Novi Sadi i Serbisë, por që nga viti 2021 jeton në Kosovë. Suzana Mariç ka zgjedhur programin e Ballkanistikës në Universitetin e Prishtinës për të studiuar. Por përgatitja e dokumenteve për të nuk ishte e lehtë.

“Duhej të nostrifikoja diplomën time të shkollës së mesme të Novi Sadit, që të regjistrohesha këtu. Pastaj, për shembull, dokumentet duhej të ishin të noterizuara, noterët në Prishtinë nuk më pranonin por duhej të shkoja në Bujanoc, që të mund të dërgoja dokumentet e mia për notifikim”, tha Suzana Mariç Sejdiu, studente.

E krahas studimeve në Prishtinë, Suzana tashmë ka lidhur kurorë me Gent Sejdiun nga Ferizaj.

“Edhe pse jemi të martuar në Kosovë, ajo nuk pranohet në Serbi. Mendoj, kjo martesë është si të mos ekzistojë për Serbi. Në thelb, i bie të kemi dy kurorëzime, kështu që tani nuk jam e martuar në Serbi, por jam në Kosovë”, shprehet ajo.

Ermir Idrizaj nga komuna e Istogut ka dy vjet që jeton në Beograd.

I lindur pas luftës rrëfimet e para që kishte dëgjuar për Serbinë sigurisht që kishin të bënin me okupimin serb, luftën në Kosovë dhe masakrat e kryera nga Serbia.

Megjithatë në një konkurs që kishte parë për një kompani të marketingut në Beograd, ndonëse i ri, ende pa mbushur 22 vjeç ai vendos të aplikojë.

Nuk dihet saktë numri i shqiptarëve që pas luftës kanë vendosur të jetojnë në Beograd.

Tv Klan