Humbi nënën, motrën dhe mbesën. Vetë mbeti e plagosur nga një aksident. Kjo është historia e trishtë e një gruaje shqiptare, e cila ka treguar se që nga momenti i kësaj ngjarjeje “bota i është shkatërruar në copëza” dhe se sheh makthe me anëtarët e familjes së saj që digjen për vdekje. Blerta Vokshi i ka treguar të gjitha gjatë një seance gjyqësore ndaj shoferit Sarbjit Matharu, i cili në vitin 2016 shkaktoi në një autostradë në Toronto të Kanadasë një aksident të rëndë që i mori jetën disa shqiptareve. Vokshi ka deklaruar se imazhet e “nënës së saj teksa i digjeshin krahët, mbesës që po digjej e gjallë dhe motrës së shkretë të djegur në çdo cep të trupit”, po i shkaktojnë traumë të rëndë.

Familja Vokshi po kthehej në shtëpi pas një udhëtimi në Wonderland në Kanada dhe u përfshinë më 24 Qershor të vitit 2016 në një aksident të rëndë së bashku me 10 makina. Gjithçka nisi kur kamioni i Matharu përplasi fillimisht një Hyundai, që drejtohej nga një qytetare e huaj 27-vjeçare e cila humbi jetën. Kjo përplasje shkaktoi një seri të tjera përplasjesh dhe shpërthimesh që përfunduan me vdekjen e Xhemile Vokshit, 55 vjeç; Valbona Vokshit, 35 vjeç dhe Isabela Kucit, 5 vjeç.

Blerta Vokshi po ashtu u përfshi në aksident. Ajo ndodhej në një makinë tjetër së bashku me djalin, por fatmirësisht shpëtuan vetëm me disa dëmtime në trup. Në deklaratën e saj para gjykatës, ajo rrëfeu se si vuan nga ankthi për shkak të stresit post-traumatik që ka pësuar nga ngjarja që ka parë teksa shihte anëtaret e dashura të familjes të ndërronin jetë para syve të saj.

“Netët janë më të këqija sepse filloj dhe përjetoj ngjarjet tragjike”, ka treguar ajo.

Shoferi i kamionit që shkaktoi aksidentin ishte në përfundim të udhëtimit prej 2100 kilometrash, por kishte falsifikuar të dhënat e tij për të fshehur mungesën e gjumit. Gjatë këtij viti, gjykatësi Michael Code e shpalli Matharu-n fajtor për neglizhencë që shkakton vdekje dhe dëmtime në trup. Sipas asaj që transmetojnë mediat e huaja, ai ka qenë në udhëtim për 26 orë pa fjetur dhe ka qenë në telefon duke folur me miqtë e tij për periudha të gjata kohore. Ai është justifikuar me faktin se industria e kamionëve i bën presion shoferëve që të thyejnë ligjin në mënyrë që të respektohen afatet kohore të dërgesave.

Zëvendës prokurori i çështjes Katalin Kirec ka kërkuar një dënim nga 10 deri në 12 vjet burg për Matharu. Nga ana tjetër, avokatja e tij mbrojtëse kërkoi një dënim më të zbutur. Shoferi i kamionit ishte zhvendosur nga India në Kanada në vitin 2009 dhe kishte dokumente të rregullta. Megjithatë pas kësaj ngjarje ai rrezikon deportimin./tvklan.al