“Shtëpia” e re e RENEA-s, kush janë forcat policore elitë



“Shtëpia” e re e RENEA-s, kush janë forcat policore elitë

11:58 13/01/2020

Këtë të hënë u inaugurua reparti i ri, i cili do t’i shërbejë forcave policore elitë RENEA. Ky në fakt ka qenë një ndër problemet kryesore të Repartit të Neutralizimit të Elementit të Armatosur që mesa duket me ambientet e reja do të marrin fund.

Tek kati i parë i “shtëpisë” së re të RENEA-ve përfshihen klasat dhe dhomat e pajisjeve speciale, ndërsa në kat të dytë fjetoret për efektivët elitë. Përveç praktikës efektivët marrin gjatë gjithë kohës edhe mësime teorike. Ambientet e reja do të jenë të pajisura edhe me palestra apo dhe pishina.

Pas përfundimit të ceremonisë së inaugurimit, që përkon edhe me 107 vjetorin e Policisë së Shtetit, pati edhe demonstrimin e veprimeve në një situatë të efektivëve RENEA.

Si lindi RENEA?

Forcat speciale nisën në vitin 1982 kur u krijua Batalioni 326 i Ministrisë së Brendshme. Fillimisht ky batalion pati detyra antidemonstratë. Efektivët e përzgjedhur për të shërbyer ishin zakonisht ushtarakë profesionistë që vinin nga policia, Garda, ushtria dhe nga zhytësit e Marinës Luftarake. Kjo në fakt do të shërbente edhe si bërthama e mëvonshme për ngritjen e RENEA-s. Në vitet 1990, do të quhej Reparti 326 dhe do të merrte detyra të reja për shkak të rritjes së kriminalitetit. Numri real i forcave Renea mbahet sekret, por mendohet të jetë rreth 200.

Fillimisht ishte i organizuar sipas sistemit ushtarak të Regjimentit 22 Special Air Service (SAS) britanik, me skuadra bazë prej 4 personash. Kjo sepse Policia e Shtetit ishte një organizëm ushtarak dhe ishte parashikuar përdorimi i policisë në rast lufte. Por tashmë reforma e policisë i ka përjashtuar detyrat ushtarake të saj në rast lufte, kështu që edhe RENEA është riorganizuar në këtë frymë, duke marrë si pikë referimi jo më SAS, por njësi evropiane me detyrë ekskluzivisht Rendi Publik si gjermanen GSG-9 (GrenschutzGruppe 9-gruppi 9 i Policisë Federale Kufitare), italianen GIS dhe NOCS, francezen GIGN. Por taktikat e referimit, si për të gjitha njësitë antiterroriste të botës, mbeten ato të SAS.

Përbërja e repartit

Reparti është i përbërë nga ndërhyrës, snajper, alpinistë, zhytës, një njësi e vogël Kinofile dhe Logjistike. Skuadra bazë e ndërhyrjes është e përbërë prej 5 personash, por sipas rrethanave mund të krijohen skuadra prej 3-9 efektivë.

Në rolin e ndërhyrësit janë të stërvitur të gjithë efektivët e repartit. Secili prej tyre është i stërvitur në përdorimin e armëve, përfshi qitjen snajper, arte marciale, luftime në vende të mbyllura, zbritja me litar nga çatitë dhe helikopteri, teknika infiltrimi, mbrojtje e VIP-ave, transmetime dhe përgjime radio, fotografi, topografi dhe lundrim, alpinizëm dhe zhytje.

Aksionet më të rëndësishme të RENEA-s ndër vite

Janar 1991-Revoltë në burgun e Shënkollit. Persona të armatosur marrin disa gardianë peng. Qeveria e atëhershme dërgon Repartin 326 dhe situata u vu nën kontroll pa gjakderdhje vetëm me lotsjellës dhe plumba plastikë. I vetmi i plagosur qe një efektiv i repartit.

Prill 1996-Gjatë takimit të Presidentit Scalfaro me homologun e tij Berisha në Tiranë, një i çekuilibruar i armatosur me një bombë dore pa siguresë kërkoi që tu afrohej presidentëve. Një oficer i RENEA-s negocionte me të çekuilibruarin, operatorë të tjerë arritën ta çarmatosin dhe ti vënë siguresën bombës.

Janar 1997-Një studente në krizë depresive kërcënonte se donte të vetëvritej me një bombë dore, së cilës i kishte hequr siguresën. Ndërhyrja e RENEA-s zgjedh situatën pa gjakderdhje.

1997-Gjatë revoltave, RENEA ngarkohet që të rikuperojë arin dhe vlerat monetare nga të gjitha bankat e Shqipërisë dhe t’i sillte në Bankën Qendrore në Tiranë ku ishin të sigurta. RENEA kreu misionin me furgonë IVECO të pablinduar dhe nuk humbi asnjë qindarkë.

1998–1999-Së bashku me forca të tjera të policisë, RENEA shkatërron njëra pas tjetrës bandat që kishin paralizuar rrugët e vendit.

Korrik 1998-Arrestimi i 5 terroristëve islamikë egjiptianë të lidhur me rrjetin e Bin Ladenit dhe të kërkuar nga policitë e të gjithë botës.

Mars 1999-Tre kriminelë vrasin për një ditë tre policë dhe katër persona. Ngujohen në një shtëpi dhe marrin peng një çift me fëmijën e tyre 7-muajsh. Ndërhyn RENEA dhe çliron pengjet. Gjatë konfliktit vriten tre kriminelët dhe plagoset një peng.

Maj 1999-Një emigrant shqiptar në Greqi konfliktohet me punëdhënësin, i cili asnjëherë nuk e kishte paguar për punën që ai bënte. Denoncohet në polici, ku keqtrajtohet nga policët grekë, keqtrajtime të cilat i shkaktojnë dhe impotencë. Kthehet në Shqipëri ku armatoset me një AK 47 dhe dy bomba dore. Rikthehet ne Selanik ku merr peng një autobus me 14 persona. Para se të hynte ne kufirin shqiptar nxorri nga autobusi pleq e fëmijë. Qeveria greke i jep 250.000 $ që kishte kërkuar dhe e lejon të futet në territorin shqiptar së bashku me pengjet. Policia Greke lajmëron policinë shqiptare që mos të kryej ndërhyrje gjatë kohës që pengmarërsi kishte autobusin. Në periferi të Tiranës, negociatorët kërkojnë ta bindin që të lëshojnë pengjet, më pas policia ndërhyn dhe vret një peng dhe pengmarrësin e eliminojnë me një qitje me snajper pavarësisht se ai e kishte lëshuar armën.

1999-Arrestimi i Zani Çaushit dhe i shumë kapobandave të tjera.

2000–2001-Në tre operacione të ndryshme arrestohen tre të dyshuar si të implikuar në vrasjen e deputetit të opozitës Azem Hajdari.

Shkurt 2001-Gjatë operacionit “Journey Italia” shkatërrohet një bandë narko-trafikantësh shqiptaro-amerikanë, të cilët në bashkëpunim me kartelin e Medelinit, mafiozë shqiptarë dhe italianë, po krijonin në Shqipëri një qendër ndërkombëtare të trafikut të kokainës. RENEA arreston të gjithë personat e implikuar, mes tyre një funksionar të lartë të policisë që kishte marrë arratinë.

18 Prill 2004-Forcat Speciale të repartit RENEA në bashkëpunim me strukturat e Drejtorisë së Policisë së qarkut Tiranë, pas një operacioni të befasishëm, kanë bërë të mundur arrestimin e të shumëkërkuarit Adriatik Kalemi, lindur në Memaliaj të Tepelenës. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e drejtësisë belge, pasi akuzohej se në bashkëpunim me vëllain e tij Fatmir Kalemi kishte vrarë shqiptarin Mevlan e Adriatik Çaça (vëllezër), ngjarje e ndodhur në Anderleht të Belgjikës, më 13 prill 2001.

8 Janar 2007-Merr fund “arratia” e “kaçakut” Riza Malaj. Specialët e RENEA-s kanë mundur t’i shtrëngojnë në duart e gjymtuara prangat të shumëkërkuarit Malaj. I “forti” i Tropojës ishte shpallur në kërkim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, në akuzën e gjobëvënies së biznesmenit në fushën e ndërtimeve, Ramë Geci. Ai u arrestua në fshatin e tij të lindjes, Bujan të Tropojës.

15 Shkurt 2007-Forcat e RENEA-s hyjnë në fshatin Lazarat dhe arrestojnë 28-vjeçarin Roland Mahmuti, i dënuar me 16 vjet burg për vjedhje me armë në bashkëpunim. Gjatë operacionit nuk kishte incidente. Gjykata e Gjirokastrës me vendim nr. 94, e pati dënuar këtë person me 16 vjet burg për veprën penale “vjedhje me armë në bashkëpunim”. Operacioni i 15 Shkurtit shënon rastin e parë të ndërhyrjes së forcave RENEA në fshatin Lazarat për 2007-n.

28 Tetor 2018-Forcat Renea vrasin ekstremistin grek Kostandinos Kaçifas në fshatin Bularat të Dropullit në Gjirokastër. Ai kishte ardhur në fshat për të përkujtuar ushtarët grekë të rënë në luftën italo-greke. Ishte vetë Kaçifas i cili hapi zjarr mbi policinë duke bërë që të ndërhynin forcat Renea; pas një shkëmbimi zjarri, Kaçifas mbeti i vrarë në faqen e malit mbi depon e ujit të fshatit Bularat. Vrasja e tij u kritikua nga Ministria e Jashtme greke, duke e quajtur “të papranueshme”./tvklan.al




Të ngjashme