Tek emisioni “Shtëpia e të ardhurve” në Tv Klan nga moderatorja Mirela Milori, ka qenë i ftuar Melahim Berisha nga Malisheva i cili tregon se është ndarë nga familja gjatë trazirave në Kosovë dhe më e keqja është se ato janë veç gra dhe fëmijë, veç me një burrë plak dhe pa telefon. Ai tregon se numri i anëtarëve që ka humbur kontaktin është 23 dhe janë gra dhe fëmijë shumë të vegjël e për këtë ai shprehet shumë i shqetësuar.

Dalip Fetahi kërkon me lot në sy nënën, babain, fëmijët e vëllezërve që nuk i ka parë prej tre muajsh. Ai thotë që prej 4 ditësh i ka rënë Shqipërisë rreth e përqark dhe nuk i ka gjetur dot. Dalipi përlotet dhe prek gjithë të ftuarit në studio. Momentet prekëse dhe përlotëse nuk janë ndarë asnjë moment deri në fund të puntatës.

Leonora dhe Zabridi janë motër e vëlla dhe kërkojnë prindërit, motrat, vëllezërit e tjerë dhe gjyshen. Ata urojnë që të jenë gjallë.  Leonora ka treguar edhe historinë si është ndarë nga familjarët e saj. Ajo dhe dy vëllezër kanë qenë në shtëpi, babai në punë, e ëma me dy motrat dhe një vëlla tjetër të vogël ndodheshin tek gjyshja.

Kur erdhën ushtarët serbë i nxorën nga shtëpia dhe vëllai i madh ngeli mbrapa dhe nuk mundën të takoheshin më të tre. Leonorën dhe Zabridi i bashkuan me grupe të tjera dhe përfunduan në Prizëren ku panë fëmijë, të moshuar dhe gra shtatzëna që i binte të fiktë dhe që vuanin për bukë. Madje ajo tregon dhe një moment kur ka përmendur UÇK dhe një ushtar serb ka qëlluar me armë në ajër.

Leonora jep dhe një mesazh në fund të emisionit, ku nuk i mban më lotët dhe i kërkon familjarëve që nëse janë gjallë, të lajmërohen sa më parë. /tvklan.al