Veliaj: Do të shtojmë korsitë e dedikuara

Teksa vizitoi pikën më të re të biçikletave në Tiranë, kryebashkiaku Erion Veliaj tha serritja e numrit të përdoruesve të tyre është një zhvillim pozitiv për kryeqytetin.Një zgjidhje ekologjike kjo, që sipas Veliajt vjen në kohën e duhur për të përballuar edhe  rritjen e çmimit të naftës për shkak të luftës në Ukrainë.

Erion Veliaj: Fakti që është trefishuar numri i biçikletave që janë shitur, apo zhdoganuar, është një lajm shumë i mirë. Do të thotë se nuk jemi dorëzuar përpara kësaj sfide për diçka që s’e kontrollojmë dot, por kemi përqafuar një mundësi. Ndaj mezi pres që të shohim, jo vetëm përhapjen e dyqaneve të tilla nëpër lagje, por edhe përhapjen e kulturës që pasohet me shtimin e rrjetit të biçikletave.

Veliaj tha se duke parë këtë trend, edhe korsitë e biçikletave do të shtohen.

Erion Veliaj: Dëgjoja njerëz kur thoshin: te “Myslym Shyri” na u zu korsia e makinave. Ju them: kujtohu pak, a kalonte ndonjëherë makina aty? Në fakt, makinat parkoheshin nga 16 orë në rrugë, pra nuk ishte korsi kalimi. Kështu ka qenë edhe “Rruga e Kavajës” dhe “Zogu i Parë”.Së fundmi, Tirana është bërë pjesë e levizjes globale për mbrojtjen e planetit të Tokës, që synon të ndryshojë mënyrën e jetesës në funksion të një mjedisi më të shëndetshëm.

Tv Klan