Emri i Kelmend Balilit do të bëhej publik në maj të 2016-ës, kohë kur ai ishte një zyrtar lokal i shtetit shqiptar, drejtor i Transporteve ne Sarandë. Në 11 Maj mediat greke ishin të parat do të shkruanin se pas një sasie prej 700 kilogramësh kanabis të kapur ne vendin fqinj, ishte Kelmend Balili.

Fillimisht ai i mohoi akuzat duke i cilësuar si politike, por në 14 Maj autoritetet greke nxorën një urdhër-arresti për të. Në 16 Maj 2016 urdhri do të mbërrinte në Shqipëri, por nuk arriti të ekzekutohej pasi Balili nuk u gjet nga policia.

Disa aksione zhvilluan blutë përgjate këtyre viteve që ai ishte në kërkim, por në të gjitha rastet dështuan. Vetëm pas dërgimit në gjyq të dosjes hetimore nga prokuroria shqiptare, Balili nisi negociatat me policinë për dorëzimin. Hetimet nga prokuroria shqiptare ishin të varura nga ato që u kryen në Greqi. Vetëm disa materiale u sollën nga autoritetet greke, pasi një pjesë e tyre pavarësisht letër-porosive të dërguara, nuk pati përgjigje. Kjo futi në vështirësi hetuesit shqiptarë pasi ata nuk kishin më afat për të shtyrë hetimet. Mësohet se provat kryesore që ka Prokuroria janë përgjime të kryera në Greqi.

Në to Kelmend Balili njihej me nofkën “Keli”. Prokuroria greke, në bashkëpunim me DEA-n amerikane, arriti të vërtetojë se Dhimitër Poti i arrestuar në Belgjikë si kreu i grupit për disa vite me radhë, në mënyrë të rregullt ka transportuar lëndë narkotike drejt Europës. Ai u arrestua në Belgjikë në datën 9 Maj të këtij viti, ndërsa i vëllai i tij Xhevahiri u shpall në kërkim. Në depot e firmës së tyre të transportit u gjetën 100 kilogramë hashash. Tv Klan zbardhi dhe 5 raste në të cilat nga polici të ndryshme europiane janë konfiskuar rreth 1,5 tonë kanabis dhe 23 kilogramë kokainë. Ky grup kishte për qëllim shpërndarjen në të gjithë Europën.

Nga përgjimet është faktuar se Balili ka pasur komunikime me vëllezërit Poti me origjinë nga Saranda dhe një biznesmen në Greqi, edhe ai i prangosur. Me vendim të Gjykatës së Krimeve të Rënda u sekuestrua edhe hoteli i tij luksoz “Santa Quaranta” i konsideruar si i ndërtuar me burime të ardhura nga trafiku i drogës.

Tv Klan